Arrestohet pronari i disa kazinove në Kosovë

Arrestohet pronari i disa kazinove në Kosovë

Policia e Kosovës, të hënën, ka arrestuar pronarin e disa bastoreve dhe kazinove, Ismet Osmani, i njohur si “Curri” nga Mitrovica, dhe dy persona tjerë, gjatë një aksioni të zhvilluar në lagjen “Marigona”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, për “Betimi për Drejtësi”, bëri të ditur se arrestimi Osmanit është bërë me urdhër të prokurorit, Armend Hamiti.

Ky i fundit ka qenë duke e hetuar këtë rast viteve të fundit.

Sipas Bekës, arrestimet janë kryer nën dyshimet se të akuzuarit janë të përfshirë në organizim të skemave piramidale.

Kryeprokurori Beka, tha se nga prokurori Hamiti është njoftuar për aksionin, mirëpo për detaje shtesë tha se do të njoftojë pasi që i njëjti ë lirohet nga një seance gjyqësore në të cilën aktualisht është i angazhuar.

Lajmin për arrestimin e Currit, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një hetimi të gjatë, është duke e realizuar një operacion policor i cili përfshin disa lokacione. Pas përfundimit të operacionit policor, mund të dalim me informacione shtesë”, ka thënë zëdhënësi Kelani.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të kontaktoi edhe avokatin e Currit, Alban Arifin, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Aksioni në fjalë është zhvilluar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, përkatësisht drejtori Bashkim Spahiu.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi