Murtezaj: Borxhlinjtë nuk do t’i falim më

Murtezaj: Borxhlinjtë nuk do t’i falim më

Ligji për Faljen e Borxheve, i cili funksionoi për dy vjet radhazi nga shtatori i vitit 2015 deri në shtator të vitit 2017, u ka mundësuar bizneseve që kishin vështirësi financiare që të përfitojnë nga ky ligj.

Gjatë gjithë kësaj periudhe ATK-ja kishte falur rreth 250 milionë euro. Por, falje të tillë më nuk do të ketë.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, në një intervistë për “Ekonomia Online” ka thënë se ligji i mëhershëm që ka mundësuar faljen e borxheve ishte efikas pasi që, krahas faljes, inkasuan edhe borxhet e grumbulluara.

Ai ka thënë se më nuk do të ketë falje për bizneset që nuk paguajnë obligimet e tyre karshi ATK-së, madje ka paralajmëruar veprime konkrete për ta zbatuar ligjin.

“Mendoj se më nuk do të ndodhë falje e borxhit sepse kjo i ka të dyja anët e medaljes, pra anën pozitive dhe negative. Ana negative është sepse ne si shtet nuk jemi të njëjtë ndaj tatimpaguesve që paguajnë në bazë të rregullt detyrimet. Ndaj atyre që krijojnë vështirësi dhe nuk paguajnë me rregull po i bie sikur po u bëjmë njëfarë favori. Kështu që, ajo praktikë nuk do të ekzistojë më nga ATK-ja, por nëse merret ndonjë vendim nga Kuvendi apo qeveria është diçka tjetër. Do të ketë veprime më konkrete nga zyrtarët e ATK-së në respektim të Ligjit dhe në mbledhjen e të gjitha detyrimeve të papaguara nga komuniteti i biznesit”, ka thënë Murtezaj.

Ekonomia joformale mbetet ende sfidë për ATK-në, për të cilën drejtori Murtezaj ka theksuar se po mundohen të minimizojnë, duke pranuar se çrrënjosja e saj është e pamundur. Ai ka thënë se sipas matjeve të disa organizatave ndërkombëtare, ekonomia joformale është mbi 30 për qind.


MË SHUME NGA Ekonomi