Gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen me pagesë në Pejë përsëri i mbyllur

Gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen me pagesë në Pejë përsëri i mbyllur

Përsëri është mbyllur për publikun gjykimi ndaj Bekim Rajës, Gjon Pnishit, Avni dhe Murat Sinanajt, të cilët po akuzohen se duke vepruar në bashkim kriminal, në qershor të vitit 2014, e kanë kryer vrasjen e tani të ndjerit, Ferdinand Gjini.

Raja po akuzohet se me qëllim të hakmarrjes, kishte porositur të akuzuarin Gjon Pnishin, që së bashku me të akuzuarin Murat Sinanaj, të kryejnë vrasjen e Gjinit, për të cilën vrasje, Raja po dyshohet se kishte premtuar dhe dhënë shpërblim prej 100 mijë franga zvicerane.

Arsye për mbylljen e seancës së të hënës ka qenë dëgjimi i një dëshmitari të mbrojtur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo seancë nga Gjykata Themelore në Pejë ishte transferuar të mbahej në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak të pajisjeve teknike, pasi dëshmitari i mbrojtur kishte për tu dëgjuar përmes videolinkut.

Ndryshe edhe seanca e 22 marsit 2019, ishte mbyllur për shkak të dëgjimit të dëshmitares D.K, bashkëshortes së të ndjerit M.K, e cila të pandehurin Bekim Raja e ka djalë të xhaxhait, si dhe dëshmitarja S.K, e sipas gjykatës, në dëshminë e tyre mund të përmendet dëshmitari bashkëpunues i këtij gjykimi.

Këtë propozim e kishte dhënë prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj, me arsyetimin se këto dëshmitare e përmendin në deklarimet e tyre dëshmitarin bashkëpunues, për të cilin gjykata kishte lëshuar urdhër mbrojtës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2018 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Bekim Raja akuzohen se në maj të vitit 2012 në Zvicër, i pandehuri Bekim Raja me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, e ka porositur të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurin Avni dhe Murat Sinanaj, ta kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjinit, duke premtuar dhe dhënë shpërblim prej një qind mijë franga zvicerane.

Në dispozitivin e aktakuzës përshkruhet se të pandehurit Gjon Pnishi, Avni dhe Murat Sinanaj me 23 qershor 2014, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake në mes tyre në mënyrë dinake dhe me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për vete, e mashtrojnë viktimën duke e joshur me substanca narkotike, në atë mënyrë që viktima niset me veturën e tij “Pasat” nga Gjakova për në drejtim të Deçanit, i përcjell nga i pandehuri Gjon Pnishi, për të shkuar dhe për të marrë një sasi të substancave narkotike, ashtu siç i kishte premtuar i pandehuri Avni Sinanaj.

Më tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Gjon Pnishi, duke vepruar sipas sugjerimeve të pandehurit Avni Sinanaj, që të kalojnë nëpër fshatrat Hereq, Gramaqel, Dubrav, Gllogjan, dhe me të arritur tek ura që i lidh fshatrat Llukë e Prapaqan, i pandehuri Murat Sinanaj duke qenë i përgatitur, i zënë pritën, dhe me të kaluar viktima me veturë mbi urë, i pandehuri Murat Sinaj shtënë me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Fillimisht, në këtë rast ka qenë i akuzuar Gjon Pnishi, i cili ishte shpallur fajtor për këtë vrasje dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Pejës, në qershor të vitit 2016.

Por, pas këtij dënimi, ai ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë në lidhje me vrasjen e Ferdinand Gjinit, për çka edhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim, në shkurt të vitit 2017. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi