Për katër muaj u regjistruan 3294 biznese

Për katër muaj u regjistruan 3294 biznese

Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare (ARBK) gjatë katërmujorit të parë të këtij viti u regjistruan 3 294 biznese.

Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ky numër ka shënuar rënie për 262 biznese. “Gjatë periudhës janar-prill të këtij viti janë regjistruar 3 294 biznese, kurse në periudhën paraprake të vitit 2018 ishin të regjistruara 3 556 biznese.

Sa iu përket numrit të bizneseve të huaja të regjistruara, kemi numër konstant të bizneseve prej 16 sosh në katërmujorin e parë të dy viteve”, është thënë në përgjigjen e zyrës për informim të ARBK-së dhënë gazetës “Epoka e re”.

Sipas MTI-së, bizneset e regjistruara me pronarë femra në periudhën janar-prill të vitit 2019 janë 835 sosh, kurse në vitin e kaluar ishin 868 biznese të regjistruara.

Sipas kreut të Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, numri prej mbi 3 000 biznesesh të regjistruara është lajm i mirë.

Ai ka thënë se vetëm 30 për qind e bizneseve të regjistruara janë funksionale.

“Qytetarët e Kosovës kanë shpirt ndërmarrës dhe zgjedhin rrugën e të hyrit në biznes. Sikur të gjitha këto biznese të ishin funksionale atëherë kriza ekonomike do të ishte shumë më e vogël. Sipas të dhënave që AKB-ja ka, që nga viti 2000 jo më shumë se 30 për qind e bizneseve janë funksionale në vitin e parë. Kjo e dhënë na përsëritet në vazhdimësi. Ndërkaq kemi normë të jofunksionalizimit të tyre 25 deri në 30 për qind të bizneseve të regjistruara. Këtë vit, në muajt e fundit, kemi një rënie të regjistrimit të bizneseve për dallim nga vitet e kaluara. Kjo lidhet me krizën dhe politikat ekonomike që në Kosovë janë të shtrenjta dhe bizneset nuk mund t’i përballojnë”, ka thënë Shahini.

Njohësi i çështjeve ekonomike, i cili më parë ishte dhe ekspert i angazhuar nga Banka Botërore, Agim Demukaj, ka thënë se shifra prej 3 000 bizneseve të regjistruara është lajm i mirë por, sipas tij, rënia prej 262 bizneseve ka të bëjë kryesisht me rritjen e numrit të bizneseve në vitin 2018 kur ishte edhe vit i pakos fiskale.

“Është lajm i mirë pasi vetëm nëse nga dy persona i punësojmë, atëherë flasim për 6 000 e më shumë të punësuar. Rritja e madhe e numrit të bizneseve të regjistruara në vitin e kaluar është në saje të pakos fiskale. Në tërësi mund të themi se është lajm i mirë kjo shifër e bizneseve. Por, sa janë aktive bizneset që regjistrohen, personalisht nuk kam ndonjë analizë të mirë. As Administrata Tatimore e Kosovës nuk i përcjell nga afër nëse janë aktive apo jo? Megjithatë, është lajm i mirë pasi në raport me bizneset e shuara numri i bizneseve të regjistruara është dukshëm më i lartë”, tha Demukaj.


MË SHUME NGA Ekonomi