Shtatë persona të arrestuar për fajde

Shtatë persona të arrestuar për fajde

Policia e Kosovës, të hënën, ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për fajde, ku përfshihen edhe biznesmeni Rrahim Hashimi si dhe pronari i disa bastoreve dhe kazinove, Ismet Osmani i njohur si “Curri” nga Mitrovica.

Kjo gjë u bë e ditur përmes komunikatës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, sipas të cilës ata dyshohet se kanë kryer veprat penale “fajdeja” dhe “detyrimi”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, sot, ka ndaluar  personat me inicialet I.O., I.B., A.Th., M.M., Rr.H., E.L., dhe Z.J.,  me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Fajdeja”, nga neni 343 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 340 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” thuhet ne komunikatën e Prokurorisë.

Tutje, sipas komunikatës, Policia e Kosovës ka zhvilluar aksionin e bastisjes në disa lokacione të Prishtinës, me ç’ rast ka arrestuar të dyshuarit e lartcekur, ndaj të cilëve pritet që në afatin ligjor të ushtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, për “Betimi për Drejtësi”, bëri të ditur se arrestimi Osmanit dhe të tjerëve është bërë me urdhër të prokurorit, Armend Hamiti.

Ky i fundit ka qenë duke e hetuar këtë rast viteve të fundit, për shkak të dyshimit se të lartpërmendurit janë të përfshirë në organizim të skemave piramidale.

Aksioni në fjalë është zhvilluar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, përkatësisht drejtori Bashkim Spahiu. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi