Ëmbëlsirë me lajthi: Recetë e shpejtë në çastin e fundit!

Ëmbëlsirë me lajthi: Recetë e shpejtë në çastin e fundit!

Përbërësit:

– 5 vezë,
– 100 g sheqer,
– 40 g kakao pluhur,
– 2 lugë miell,
– pak kripë,
– erëza (kanellë, arra muskati),
– gjalpë për lyerje të tepsisë.

Për fill:

– 250 ml ajkë të ëmbël,
– 100 g çokollatë të zezë,
– aromë vaniljeje.

Për glazurë:

– 100 g çokollatë qumështi,
– 20 g gjalpë
– 50 g lajthi të pjekura e të bluara trashë.

Përgatitja:

Për fill qiteni çokollatën të shkrihet, ndërkaq ajkën tundeni. Kur çokollata të ftohet pak, përzieni me ajkën dhe shtoni aromë vaniljeje. Futeni në frigorifer që të ftohet.

Ndizeni furrën në 200 gradë, ndërkaq në tepsi vendosni letër për pjekje. Me pak gjalpë lyeni skajet e tepsisë, ku letra nuk mund të shtrihet mirë, në mënyrë që aty të mos ngjitet biskota.

Tundni të bardhët e vezëve dhe shtoni një të tretën e sheqerit dhe bëjeni borë të fortë.

Të verdhët e vezës tundeni me pjesën e mbetur të sheqerit dhe shtoni kakaon, kripën, erëzat dhe miellin dhe përzieni. Atëherë ngadalë shtoni të bardhët e vezëve duke u kujdesur që të mos e “shtypni” shumë përbërjen.

Kur t’i bashkoni të gjitha, qitni në tepsi dhe piqni rreth 7 minuta.

Sapo ta nxirrni koren nga furra, rrotullojeni në një leckë të pastër dhe të njomur kuzhine, dhe rrotullojeni baskë me leckën. Kështu do të qëndrojë elastike.

Kur të ftohet, qitni fillin dhe sërish rrotullojeni. Shkrini çokollatën me gjalpë dhe hidhni lajthitë e grira, pastaj rolesë së ftohur qitni glazurën.