Aktakuzë për shefin e Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit

Aktakuzë për shefin e Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet I.O. në cilësi të personit zyrtar si Shef i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas Prokurorisë, i njëjti ka tejkaluar kompetencat e tij duke rënë ndesh me ligjin ku ka lejuar implementimin e një kontrate në vlerë prej 358,039.06 eurosh të cilën Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e kishte shpallur nule ose jo ekzistente.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri I.O., prej muajit maj 2017 e në vijim deri në muajin maj të vitit  2018, në cilësi të personit zyrtar si  Shef i zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, nuk i përmbush kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, me dije shkel ligjin lidhur me detyrat e tij si dhe i tejkalon kompetencat e tij, në atë mënyrë  që në kundërshtim me dispozitat e ligjit mbi Prokurimin publik, ka lejuar implementimin e një kontrate që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka shpallur nule ose jo ekzistente”.

“Në këtë mënyrë, i pandehuri vepron në kundërshtim me dispozitat e Ligjit mbi Prokurimin Publik dhe me dispozitat e Ligjit mbi Financat Publike, duke i mundësuar Operatorit ekonomik zbatimin e një kontrate jo ekzistente në vlerë prej 358,039.06 euro, nga e cila kontratë deri me datën e kryerjes së ekspertizës janë realizuar punë në vlerë prej 163,254.72 euro”.

Me këto veprime, i pandehuri I.O. ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar“.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzësi ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.