Dedaj kërkon mbështetjen e Talat Xhaferit për themelimin e tribunalit

Dedaj kërkon mbështetjen e Talat Xhaferit për themelimin e tribunalit

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, është pritur sot në takim nga kryetari i Kuvendit në këtë shtet, Talat Xhaferi, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Me këtë rast, ambasadori Dedaj ka kërkuar që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ta mbështetë nismën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për formimin e Tribunalit të Drejtësisë për Gjenocidin serb në Kosovë.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi,  është zotuar për të mbështetur çdo nismë të Kuvendit të Kosovës e cila bazohet në ligje, fakte dhe drejtësi.

“Ishte nder për mua, i shoqëruar nga diplomati i Ambasadës së Republikës së Kosovës, z. Vlorat Gashi të takojmë z. Talat Xhaferi kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me kryetarin Talat Xhaferi biseduam për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona fqinjë,si dhe kërkuam që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut të mbështet nismën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për formimin e Tribunalit të Drejtësisë për Gjenocidin serb në Kosovë! Nuk mund të ketë drejtësi, paqe dhe pajtim, pa u ndëshkuar dhe nxjerrë para ligjit dhe drejtësisë të gjithë ata të cilët janë përgjegjës për gjenocidin serb dhe krimet civile në Kosovë. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi  u zotua për të mbështetur çdo nismë të Kuvendit të Kosovës e cila bazohet në ligje, fakte dhe drejtësi”, ka shkruar Dedaj në llogarinë e vet në “Facebook”.