Mungesa e prokurorit shtyhet rigjykimi ndaj ish-zyrtarëve të BSPK-së

Mungesa e prokurorit shtyhet rigjykimi ndaj ish-zyrtarëve të BSPK-së

Në mungesë të prokurorit Rafet Halimi, ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit ndaj ish-zyrtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Bahri Shabani, Sami Rrahmani dhe Rrahman Emini, të akuzuar për përvetësim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka bërë të ditur se prokurori Halimi e ka arsyetuar mungesën me kalimin e mandatit në Departament për Krime të Rënda, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Në gjykatore ishin të pranishëm dëshmitarët Ali Dragusha, Zeqir Shkodra e Veli Lecaj, si dhe  përpiluesi i ekspertizës financiare, eksperti Riza Blakaj.

Ndërkaq, mungonte përfaqësuesi i kompanisë “Agro Llapi”, Valdet Gashi pasi ai nuk ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, një gjë e tillë kishte ndodhur pasi gjykata nuk ka pasur të dhëna lidhur me vendbanimin e tij dhe këtë detyrim përsipër e kishte marr mbrojtja që së paku të sigurojë numrin e telefonit të dëshmitarit, që sipas tij, nuk e kishin bërë.

Më pas, avokati i të akuzuarit Emini, Ali Latifi deklaroi se ai ka numrin e përfaqësuesit Gashi, të cilin tha se më pas do t’ia dorëzojë gjykatës.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 1 korrik, me fillim nga ora 9:00.

Ndryshe,  në seancën e 19 marsit, aktakuzën e kishte përfaqësuar prokurori Ilaz Beqiri.

Ai kishte kërkuar kohë që të bëhet analizimi i ekspertizës së re financiare, e me propozimin e tij ishin pajtuar edhe avokatët mbrojtës të të akuzuarve.

Gjatë asaj seance, prezent kishte qenë përpiluesi i ekspertizës financiare, eksperti Riza Blakaj për të cilin palët kanë deklaruar se kanë pyetje për t’i parashtruar.

Mirëpo, prokurori Beqiri kishte kërkuar kohë që të bëhet analiza e ekspertizës.

“Ekspertizën e pranuam tash edhe është voluminoze, kemi edhe ekspertizë paraprake, na duhet kohë të analizojmë ku ka përputhje e ku s’ka” , kishte thënë prokurori.

Gjykata e Apelit për herë të dytë këtë rast e kishte kthyer në rigjykim më 3 prill të vitit 2018.

Kjo gjykatë kishte vlerësuar që në rigjykim duhet të evitohen shkeljet, të administrohen të gjitha provat e të bëhej angazhimi i ekspertit financiar dhe grafologjik ose të merret për bazë ekspertiza financiare ekzistuese.

E sipas shkallës së dytë nëse paraqiten kundërthënie në mes ekspertizës financiare dhe asaj ekzistuese, atëherë drejtpërdrejtë duhet të bëhet dëgjimi i dy ekspertëve në shqyrtim gjyqësor.

Ndryshe, më 17 shtator të vitit 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte shpallur për herë të dytë fajtorë të akuzuarit.

Bahri Shabani, ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, si dhe ishte obliguar që brenda 15 ditësh t’ia kompensojë BSPK-së, shumën në vlerë prej 11.500 euro.

Kurse, Sami Rrahmani ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht, si dhe ishte  obliguar që BSPK-së, t’ia kompensojë dëmin prej 7060.20 euro.

Ndërsa, Rrahman Emini, ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, si dhe ishte obliguar që BSPK-së t’ia kompensojë shumën në vlerë prej 5536.60 euro.

Në aktgjykimin e shpallur, gjyqtari Beqir Kalludra, dënimi me burgim ndaj tre të akuzuarve nuk do të ekzekutohej, nëse të njëjtit nuk kryenin ndonjë vepër penale brenda dy vjetësh.

Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në nëntorin e vitit 2016, i kishte shpallur fajtorë tre ish-zyrtarët e BSPK-së. Bahri Shabani, ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, Sami Rrahmani me një vit burgim me kusht dhe Rrahman Emini me një vit e gjashtë muaj burgim me kusht. Por, ky dënim me burgim, nuk do të ekzekutohej nëse personat në fjalë, nuk do të kryenin vepër tjetër penale në afat prej dy vjetësh.

Por, pas ankesave të mbrojtjes në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 21 maj të vitit 2014, të pandehurit në bazë të marrëveshjes paraprake e me qëllim të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës si persona zyrtarë në selinë e BSPK-së në Prishtinë dhe atë Bahri Shabani, si kryetar i BSPK-së, Rrahman Emini, si përgjegjës për financa dhe Sami Rrahmani.

Në aktakuzë thuhet se në bazë të urdhrit të pandehurit Shabani, i pandehuri Emini me urdhër të arkës nr.112 të datës 11 nëntor 2006 dhe kontratës nr. 308 të datës 11 nëntor 2005 kanë tërhequr nga arka si huazim për MPMS shumën e parave prej 11 mijë e 500 euro, të cilat i ka pranuar i pandehuri Rrahmani. Ndërsa, kontrata në fjalë thuhet se nuk ekziston në MPMS, me çka këto mjete i kanë përvetësuar, duke e mbyllur arkën nr.49 më 28 shtator 2006, në emër të kthimit të huazimit nga MPMS, e që në bazë të llogarisë së BSPK, më 28 dhjetor 2005 në emër të përgatitjes së kongresit të IV të BPSK-së, nga i pandehuri Rrahman Emini është bërë tërheqja e mjeteve nga arka e BSKP në vlerë prej 7.006.02, në emër të kinse në emër të kthimit të huazimit për ndërmarrjen private “Agro Llapi”.

E kjo, sipas aktakuzës, duke referuar një kontratë inekzistente është bërë tërheqja e mjeteve sipas nr të arkës 003/06  i datës 19 janar 2006, në shumë prej 5.553.60 euro në emër të gjoja kthimit të huazimit për këtë ndërmarrjen “Agro Llapi”, të cilat i ka pranuar Sami Rrahmani.

Por, ky huazim thuhet se nuk ekzistonte dhe këto mjete të pandehurit i kanë përvetësuar.

Tutje, thuhet se i pandehuri Shabani më 1 dhjetor 2004 ka marr një kredi në BPB në Prishtinë në emër të BSPK-së në shumë prej 5000 euro dhe ato mjete i ka shpenzuar për nevoja të veta private dhe se të njëjtët kredi e ka kthyer në vitin 2007, kur ka filluar ndërmarrja e veprimeve hetimore në këtë rast, me ç ‘rast thuhet se BSPK-së i kanë shkaktuar dëm material. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi