Kosova ka arritur progres të kënaqshëm në menaxhimin e financave publike

Kosova ka arritur progres të kënaqshëm në menaxhimin e financave publike

Ministria e Financave ka mbajtur të martën takimin e Dialogut të Politikave të Menaxhimit të Financave Publike (MFP), ku të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësuesit e institucioneve të Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e Komisionit Evropian, partnerët tjerë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët diskutuan për progresin por edhe sfidat në zbatimin e Strategjisë së Reformës së Menaxhimit të Financave Publike 2016-2018.

Në këtë takim, i cili kryesohej nga zëvendësministri i Financave Fatmir Gashi, u diskutua për raportin vjetor 2018 të Progresit të Implementimit të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike (MFP) 2016 – 2020, ku nga të pranishmit u cilësua si një e arritur.

“Për sa i përket raportit vjetor 2018 të progresit të implementimit të Strategjisë së Reformës së Menaxhimit të Financave Publike 2016-2018, përgatitja e tij ka qenë një kombinim i takimeve dhe konsultimeve brenda GK për MFP dhe konsultimeve me palët ndër institucionale dhe me palët tjera të interesit. Përfundimisht ka kaluar edhe diskutimin në Takimin e Këshillit Ministror për Reformën e Administratës Publike (KMRAP). Raporti është bazuar në planin e veprimit dhe pasaportën e indikatorëve, duke raportuar në nivel të prioriteteve bazuar në indikatorë”, ka thënë zëvendësministri Gashi.

Ai ka bërë me dije se ky raport i tretë vjetor, përmbledh dhe paraqet arritjen e prioriteteve dhe progresin në aktivitete të Strategjisë së Reformës së Menaxhimit të Financave Publike (SRMFP) gjatë vitit 2018.

“Hartimi i raportit monitorues vjetor ka për qëllim shqyrtimin e progresit të arritur në zbatimin e strategjisë si dhe identifikimin e sfidave dhe ndërmarrjen e masave korrigjuese. Raporti i tretë vjetor i zbatimit të Strategjisë për Reformën e MFP evidenton progres të kënaqshëm”, ka thënë Gashi.


MË SHUME NGA Ekonomi