Të rënët në luftë, meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

Të rënët në luftë, meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

Sot në Kaçanik është mbajtur Akademi përkujtimore dhe janë bërë homazhe për të rënët e luftës së Kosovës më 21 maj të vitit 1999.

Akademia dhe homazhet janë organizuar në nderim të 20 vjetorit të rënies së dëshmorëve Kemal Thaqi e Ekrem Gudaqi dhe martirëve të rënë më 21 maj të vitit 1999, Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Baki Bela, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dega në Kaçanik dhe Këshillat Organizues të fshatrave Stagovë dhe Runjevë.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, tha se falë dëshmorëve martirëve sot Kosova është e lirë.

Ai tha se ata që kanë bërë krime duhet të dënohen dhe të marrin dënimet për krimet e bërë në Kosovë.

Ndërsa mjeku i luftës dhe veterani i UÇK,-së, Bejtush Jaha, deklaroi se 20 vite më parë në këto fshatra u vendosën njësitë e UÇK-së, që kishin qëllimin mbrojtjen e popullatës.

Kurse ish zëvendëskomandanti i UÇK-së i Brigadës 162 "Agim Bajrami", Hajrush Kurtaj, tha se në këtë 20 vjetor ne kujtojmë sakrificën e popullit të Kosovës për lirinë.

Ndryshe në këtë vit në të gjitha qytetet e Kosovës, në shënim të 20 vjetorit të luftës po organizohen aktivitete të ndryshme për të nderuar dëshmorët dhe martirët në luftën e fundit.