Arrihet marrëveshje gjyqësore ndërmjet BKS-së dhe të paditurit

Arrihet marrëveshje gjyqësore ndërmjet BKS-së dhe të paditurit

Të martën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, është arritur marrëveshje gjyqësore, në mes të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) dhe të paditurit Sejdi Shala, për rimbursim të demit lidhur me aksidentin në trafik që kishte ndodhur më 7 dhjetor 2015, në Skenderaj.

Në seancën përgatitore të së martës, palët janë pajtuar që këtë çështje juridike-kontestimore ta përmbyllin me marrëveshje gjyqësore.

Kjo marrëveshje është arritur, pasi paraprakisht përfaqësuesja e BKS-së, Diellza Hajdari, ka deklaruar se mbetet pranë kërkesëpadisë, në të cilën janë të bashkëngjitura provat që vërteton bazën e kësaj padie, duke filluar nga raporti policor, i cili vërteton se shkaktar i aksidentit ne komunikacion, kishte qenë i padituri Shala, dhe se ai nuk kishte pasur polisë valide të sigurimit, e që këtë dëm, sipas saj, ia kishte kompensuar BKS-ja të dëmtuarit në vlerë prej 930 euro.

Ajo bëri një ofertë për të paditurin, duke i propozuar që shuma prej 930 euro të fillojë të rimbursohet me nga 20 euro, nga data 1 e deri më 5 qershor 2019, deri në pagesën përfundimtare, për shkak te gjendjes se dobëte ekonomike të paditësit.

Kurse, i padituri Shala, në fjalën e tij hyrëse, deklaroi se është e vërtetë se aksidenti ka ndodhur, se ai ishte përgjegjës për shkaktimin e dëmit. “Por, kam qenë duke e dërguar djalin në spital dhe makina nuk ka qenë e imja, por e vëllait”, ka deklaruar ai.

Përfaqësuesja e BKS-së, Hajdari pas arritjes së marrëveshjes ka hequr dorë nga kamata dhe shpenzimet procedurale.

Ndryshe, më 15  mars 2018, Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), kishte paditur Sejdi Shalën, për kompensimin e dëmit në shumën prej 930.00 euro, në emër të rimbursimit të dëmit të shkaktuar në aksidentin e komunikacionit, i cili kishte ndodhur me 7 dhjetor 2015, në Skenderaj.

Në padi thuhet se i padituri Shala, më 10 nëntor 2012, me automjet kishte shkaktuar aksident trafiku në Skenderaj, me ç’ rast i padituri e ka goditur automjetin e të dëmtuarit Zeqir Jashari.

Sipas padisë, i padituri në momentin e shkaktimit të aksidentit kishte qenë i pasiguruar.

Në ndërkohë, i dëmtuari në këtë aksident, në BKS, kishte bërë kërkesë për kompensim të dëmit.

Kështu, paditësja BKS-ja, sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, ishte obliguar që këtë dëm t’ia kompensojë dhe ta rimbursojë nga shkaktari i aksidentit, respektivisht nga tani i padituri.

Prandaj, paditësja BKS-ja, ka kërkuar nga gjykata që të obligohet i padituri Sejdi Shala që t’ia kompensojë shumën prej 930.00 euro, në emër të rimbursimit, si dhe t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi