Ferizaj shumë shpejt pjesë e Forumit të Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit

Ferizaj shumë shpejt pjesë e Forumit të Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit

Nismat në dobi të zhvillimit ekonomik, krijimit të mundësisë për bizneset lokale dhe ndërtimit të një klime të favorshme investimesh po marrin dimension tjetër në nivelin lokal.

Së fundmi, është organizata Germin ajo e cila ka ideuar organizimin dhe lansimin e Forumit të Bashkë-investimeve dhe Rrjetëzimit që ka për qëllim ofrimin e një pasqyre sa më të qartë për investitorët e jashtëm dhe nga diaspora për mundësitë zhvillimore dhe biznesore që si dhe zhvillimin e lidhjeve të reja tregtare për bizneset vendore.

Për të diskutuar për këtë nismë, përfaqësuesit e kësaj organizate u pritën sot nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu dhe drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Zekir Bytyqi.

Shpjegimet për këtë nismë të parit të Ferizajt ia dhanë zëvendësdrejtorja Fjolla Vukshinaj – Reçica dhe menaxheri i projektit Florim Krasniqi nga organizata Germin, të cilët shpjeguan rëndësinë e kësaj nisme dhe përfitimet që ka biznesi vendor me implementimin e saj.

Sipas tyre, kjo nismë që bazohet në rrjetëzimin e bizneseve si mundësi për rritjen e bashkëpunimit tregtar është formë efikase e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe të vetë subjektit biznesor, po ashtu edhe pjesëmarrjen e bizneseve nga diaspora në këtë forum.

Kryetari Aliu tha se qeverisja lokale është e hapur për nisma të tilla të dobishme për bizneset lokale dhe më gjerë.

Ai konfirmoi gatishmërinë e Komunës së Ferizajt, që të kontribuojë në këtë nismë me të gjitha kapacitetet e veta me qëllim zbatimin e plotë të kësaj nisme me impakt direkt në zhvillimin ekonomik lokal në tërësi dhe zhvillimin e biznesit lokal në veçanti.