Ruçi pas takimeve në Holandë: Rezoluta për vizat nuk do zbatohet

Ruçi pas takimeve në Holandë: Rezoluta për vizat nuk do zbatohet

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka deklaruar se për anëtarët e Bashkimit Evropian, braktisja e institucioneve dhe braktisja e zgjedhjeve është e pakuptimtë, e paperceptueshme.

Një një intervistë për mediet pas takimeve në Holandë, Ruçi u shpreh se, “Kuvendi ka filluar në kuadrin e diplomacisë, një tur takimesh, pothuajse me të gjitha vendet kryesore të  Bashkimit Evropian. E kemi nisur me Gjermaninë, Bundestag un Gjerman, kemi vazhduar me Senatin dhe Parlamentin Italian, pastaj me Parlamentin Austriak, me konferencën e kryetareve te parlamenteve te vendeve anëtare në Vjenë dhe sot jemi në Holandë”.

“Por, nuk janë vetëm këto vendet, që Kuvendi i Shqipërisë ka kontaktuar këto gjashtë muaj, pasi në takimet shumëpalëshe ne kemi zhvilluar bilaterale me Senatin dhe me Parlamentin Francez, me disa parlamente te vendeve Skandinave. Me të gjitha parlamentet e Ballkanit si; Slloveni, Kroaci Greqi, Bullgari, Rumani, Poloni etj. Pra, gjatë kësaj kohe ne kemi kontaktuar pjesën dërmuese të parlamenteve të Bashkimit Evropian dhe pas dy javësh do të kontaktojmë me një nga vendet e Europës Qendrore, siç është  Çekia. Këtu mbyllim të gjithë programin që Kuvendi i Shqipërisë ka bërë në kuadrin e diplomacisë parlamentare, me objektiv hapjen e negociatave, në Bashkimin Evropian”, tha Ruçi.

“Pranë parlamenteve të vendeve anëtare kemi paraqitur të gjitha arritjet e Shqipërisë, në kuadrin e pesë prioriteteve që janë: Reforma në drejtësi, lufta kundër krimit, lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit, liritë dhe të drejtat e njeriut, duke përfshirë këtu pronën dhe reformën zgjedhore”, u shpreh ai.

“Unë them që pavarësisht nga jehona mediatike që ka se Holanda është një vend skeptik, me bashkëbiseduesit që ne takuam, gjetëm një mirëkuptim  të plotë dhe me objektivitet ata deklaruar që, ne po presim të mbarojnë zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Po presin dhe po ndjekin me shumë vëmendje se cili do të jetë rekomandimi që do të bëjë Komisioni Evropian. Kanë përcaktuar relator nga këto parlamente që ndjekin nga afër arritjet e Shqipërisë, të cilët do të përgatisin një raport për parlamentet e tyre dhe në fund do të shprehin qëndrimin e tyre,  lidhur me pozicionin e Holandës, për hapjen e negociatave me Shqipërisë”, tha Ruçi.

“Në Shqipëri një çështje që ka marrë më shumë vëmendjen e publikut është e ashtuquajtura debat apo rezolutë, që ka nxjerrë parlamenti holandez lidhur me ndërprerjen e vizave për shqiptarët. Ishte një gjë jashtëzakonisht e mirë, që vetë njeri prej deputetëve nënshkrues u shpreh qartë që: “megjithëse unë kam diskutuar për këtë rezolutë, megjithëse kam votuar pro kësaj rezolute, kam qenë i ndërgjegjshëm edhe para se të diskutoja, edhe para se të jepja votën, që kjo gjë është e parealizueshme”, tha kreu i Kuvendit.

I pyetur për situatën politike dhe për sjelljen e opozitës Ruçi, tha se, “unë jam kryetar i parlamentit dhe nuk jam aspak dakord me këto: “opozita reale” dhe “opozita joreale”. Ka një opozitë- opozitë parlamentare dhe pavarësisht nga qëndrimi opozitar i kryetares së grupit demokrat, znj. Hajdari, edhe në kontaktet me Kryetarin e Parlamentit dhe të Senatit, me Ministrinë e Jashtme, me grupin e deputetëve holandezë, me takimin me mikun e çmuar, ish-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Scegfer, i cili bëri të mundur pranimin e Shqipërisë në NATO, me ish-ambasadorin e OSBE-së Bosch, të dy këta holandezë, miq të Shqipërisë që duan hapjen e negociatave me Shqipërinë, znj. Hajdari paraqiti mendimet e saj opozitare, objektive dhe realiste, por edhe shprehu qartë mbështetjen për hapjen e negociatave në emër të interesave kombëtare”.

Lidhur me deklaratën e kreut të PD-së, Basha se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje dhe nëse kjo është diskutuar në takimet e zhvilluara partnerët ndërkombëtarë, Ruçi tha se, “ju i keni ndjekur nga afër takimet që unë kam pasur. Ato kanë qenë të hapura edhe me bashkëbiseduesit. Kjo pyetje nuk më është bërë nga asnjeri, pasi për anëtarët e Bashkimit Evropian, braktisja e institucioneve dhe braktisja e zgjedhjeve është e pakuptimtë, e paperceptueshme dhe nuk përbën pyetje për të marrë një përgjigje nga askush. S’më është bërë një pyetje e tillë”.

I pyetur nëse një qeveri tranzitore do të ishte zgjidhje, Ruçi tha se, “nuk merrem me komente, me deklarata, ju e dini, unë kryej detyrën e  Kryetarit te Kuvendit dhe flas  në emër të Kushtetutës, në emër të parimeve dhe të rregullave të lojës së demokracisë. Shqipëria ka një qeveri,  një parlament, një mazhorancë dhe i vetmi mekanizëm janë mocionet e besimit,  mosbesimit dhe zgjedhjet”.