Favre e konfirmon mbështetjen e UEFA-s në realizimin e projekteve të FFK-së

Favre e konfirmon mbështetjen e UEFA-s në realizimin e projekteve të FFK-së

Shefi i Divisionit të Federatave Kombëtare në UEFA, Thierry Favre ka qëndruar sot për vizitë në Kosovë. 

Përveç takimit me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, nënkryetarin Bakir Burri dhe sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu, ai, së bashku me presidentin Ademi e sekretarin Salihu janë pritur edhe nga zëvendësministrja e sportit, Lenora Morina – Bunjaku, derisa ka vizituar edhe stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, aty ku do të ndërtohet Kompleksi Nacional i Futbollit, si dhe disa prej gjashtë fushave me bari sintetik që janë ndërtuar në partneritet me UEFA-n. Në konferencën për media që u mbajt në selinë e FFK-së, Favre ritheksoi përkrahjen e plotë të presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin për zhvillimin e futbollit të Kosovës dhe për presidentin Agim Ademi për punën e madhe dhe të drejtë për futbollin e Kosovës, duke i dhënë edhe mbështetje të plotë vizionit të tij për të ardhmen e futbollit. Tutje Favre theksoi se do t’i përkrah projektet kapitale për FFK-në siç janë ndërtimi i Kompleksit Nacional të Futbollit në Obiliq, pastaj rindërtimi i selisë së FFK-së por edhe projektet tjera në të ardhmen.

Më tej Favre ka thënë se është i lumtur që është vazhduar suksesshëm puna e FFK-së pas vdekjes së ish-presidentit Fadil Vokrri dhe është shprehur i mahnitur me paraqitjen dhe sukseset e arritura nga Kombëtarja e Kosovës në Ligën e Kombeve, çka ka bërë që Kosova të tregohet si storie suksesi. Ai ka konfirmuar se në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të miratohet vendimi që Kosova nga viti i ardhshëm të përfaqësohet nga 3 klube në garat evropiane, gjë e cila është konfirmuar nga  derisa në po të njëjtën mbledhje do të miratohet edhe anëtarësimi i presidentit Agim Ademi në Komitetin “Hat-Trick” të UEFA-s. Po ashtu, Favre ka paralajmëruar edhe një befasi tjetër për futbollin kosovar nga takimi i KE të UEFA-s në Baku.

Ndërkaq, presidenti Ademi ka bërë me dije se edhe në takimin me zëvendësministren Morina-Bunjaku është theksuar nevoja që të fillohet sa më shpejtë në punimet e këtij projekti, i cili do të monitorohet plotësisht nga UEFA dhe do të jetë nën mbikëqyrjen e ekspertëve të saj. Ndërkaq, sa i përket renovimit të selisë së FFK-së është duke u pritur dhënia e lejes nga Komuna e Prishtinës, në mënyrë që të shpallet tenderi dhe të fillohet me punime për ta shndërruar objektin aktual në një shtëpi moderne të futbollit. Gjatë kësaj vizite të zyrtarit të lartë të UEFA-s është diskutuar edhe për strategjinë e FFK-së për katër vjetër e ardhshme si dhe për ecurinë e kampionatit të Kosovës në të gjitha rangjet.