Durrës, sekuestrohen 1 milion euro asete me origjinë kriminale

Durrës, sekuestrohen 1 milion euro asete me origjinë kriminale

Seksioni kundër pastrimit të parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, kanë konfiskuar një shumë të konsiderueshme të hollash dhe pasuri të paluajtshme të shtetasit Xh.S., 57-vjeç, nga ky qytet.

Pas një hetimi dyvjeçar të zhvilluar me metoda speciale është arritur të dokumentohet se 57-vjeçari e ka përfituar këtë pasuri në bazë të aktivitetit kriminal të ushtruar në Itali. Ai është dënuar në Itali me 3 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “Gjobvënie e kryer në bashkëpunim”.

Në përfundim të hetimeve u bë sekuestrimi i llogarive bankare me vlerë 30 milionë lekë dhe 5.770 euro, si dhe 7 pasuri të paluajtshme si truall, banesa, garazh, apartamente me një vlerë monetare në total rreth 1 milion euro, të cilat dyshohet të jenë përfituar nga ushtrimi i aktivitetit të paligjshëm.

Materialet hetimore u kaluan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme./Atsh/