Rama i përgjigjet Metës: Pres apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit

Rama i përgjigjet Metës: Pres apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit

Pas deklaratave të kreut të Shtetit, Ilir Meta, për ngërçin institucional që ka sjellë reforma në drejtësi ka ardhur edhe reagimi i Edi Ramës.

Me anë të një postimi në twitter, Kryeministri i përgjigjet Presidentit duke i thënë që vettingu ka pastruar sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit.

Edi Rama:“Falë Vetingut, Gjykata Kushtetuese është sot një djep bosh pa shejtanin brenda! Kjo është më shumë se gjysma e një pune të madhe që kërkon durimin e kohën e saj.”

Në lidhje me tërheqjen e Presidentit për të ulur bashkë Ramën dhe Bashën për shkak të mungesës së vullnetit të këtyre të fundit, Kryeministri i kërkon Metës opinionin e tij për datën 30 qershor.

Edi Rama: “A e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese Presidentin e Republikës të mbrojë datën e zgjedhjeve që sipas Kushtetutës ai e ka dekretuar? S’e dimë opinionin e Presidentit për këtë dhe bashkë me kritikat e tij, mezi e presim apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit.”

Prej 3 muajsh, PD dhe LSI kanë nisur protestat e tyre në rrugë për të kërkuar largimin e Edi Ramës, ndërsa nga ana tjetër mazhoranca po bëhët gati që të nisë fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.