Kirurgët nga Australia operojnë 25 fëmijë të lindur me anomali kongjenitale

Kirurgët nga Australia operojnë 25 fëmijë të lindur me anomali kongjenitale

Kirurgët mjekësorë nga Australia së bashku me mjekë vendorë të kirurgjisë së fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë operuar me sukses të komplikuara.

Drejtori i klinikës, Murat Berisha, tha për Radio Kosovën se përpos ndihmës që u ofrojmë fëmijëve, qëllimi është që edhe mjekët kosovarë të marrin eksperiencë profesionale shëndetësore.

Brenda vitit në Kosovë po realizohen dhjetëra intervenime kirurgjike të komplikuara të fëmijët, ku vite më parë është dashur të trajtohen jashtë vendit. Besim Tahiraj, familjar, shpjegon përvojën e tij në kërkim të ndihmës për trajtimin e fëmijës së tij.

"Kam pritur 2 vjet e gjysmë dhe do i jem mirënjohës gjithë jetën për punën që ai ka bërë për fëmijën tim. Ishte një problem shumë i rëndë, mirëpo gjithmonë kam besuar që do të bëhet mirë. Edhe vërtet u bë mirë", tha ai.

Eksperti i kirurgjisë së fëmijëve nga Australia, Pady Dewan, i njohur botërisht për trajtimin e rasteve të fëmijëve të lindur me anomali, ndihmon Kosovën për vite më radhë, tha drejtori i Klinikës, Murat Berisha.

"Kryesisht kryen intervenime të fëmijët e lindur me anomali të lindura, që janë mjaft komplekse. Fëmijët që bëjnë një jetë jo normale falë intervenimeve të tij shumë prej tyre sot bëjnë një jetë shumë normale. Janë operacione të rënda që zgjasin gjatë" tha ai.

Dr Sali Grajçevci, pjesë e stafit vendor, shpjegon lidhur me përfitimet që ata i marrin nga kirurgu australian dhe anomalitë të cilët ata i kanë trajtuar përmes intervenimeve kirurgjike në QKUK.

"P.sh. herën e parë kur ka ardhur ka punuar eks-trofi të fshikëzës urinare, është një anomali shumë e rrallë edhe shumë e rëndë, pastaj anomalitë që kanë të bëjnë me zorrën e trashë, edhe pse në ato i bëjmë edhe vetë,por ato janë më komplekse, disa intervenime në mënyrën se si ai i benë,të cilat kanë komplikime më shumë, e ai i ka zgjidhë ato probleme edhe të sistemit uro-gjenital. Pastaj janë disa anomali inter-sex që ai i ka punuar e ne nuk kemi përvojë në raste të tilla", tha ai.

Profesori nga Australia, Pady Dewan, është mbështetur nga komunitetit shqiptar që jeton në Melburn të Australisë.