Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit në Pejë

Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit në Pejë

Mungesa e prokurorit Ali Uka, ka bërë që të dështojë seanca e shqyrtimit kryesor ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dashi akuzohet se me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014, deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se seanca e paraparë për të enjten është shtyrë, pasi që prokurori Uka, ka paraqitur kërkesën, duke njoftuar se nuk mund të merrte pjesë në seancë, për shkaqe shëndetësore.

Ndryshe, në seancën e së enjtes, ishte e paraparë të lexoheshin provat materiale, të cilat janë të propozuara në aktakuzë dhe të jepet fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Në seancën e 15 qershor të vitit të kaluar ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, pas seancës së shqyrtimit të dytë ka marrë vendim që të aprovojë si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Demë Dashi, avokati Isë Osdautaj për kundërshtimin e provave si të papranueshme, duke përjashtuar nga shkresat e lëndës dëshmitë e dëshmitarëve Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi, Bashkim Hadërgjonaj, Arben Qakaj, Sali Qelaj, Gani Mavraj, Mendu Mende, Bakir Burri, Metë Ademaj, Astrit dhe Alma Imami, Abedin Kurtulaj, Gjihad Deçani, Ekrem Lluka, Tafil Alimusaj, Smajl Temaj, Rexhë Zeka, Kujtim Hadërgjonaj, Isa Selimaj, Haxhi Karaqica, Shkelzen Hadërgjonaj, Ideal Gashi dhe Adem Berisha.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda të ngritur më 27 mars 2018,  Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Gjithmonë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.

Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelorë Pejë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi