Gjykatësja në një takim zyrtar, anulohet seanca e rigjykimit ndaj Sekiraqës

Gjykatësja në një takim zyrtar, anulohet seanca e rigjykimit ndaj Sekiraqës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është anuluar seanca e rigjykimit, e planifikuar të mbahet të enjten ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për veprën penale të nxitjes në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, se arsyeja për anulimin e kësaj seance ishte pjesëmarrja e anëtares së trupit gjykues, Shadije Gërguri, në një takim zyrtar, sipas tij, të rëndësishëm.

Sipas gjykatësit Hoti, një njoftim i tillë për pjesëmarrjen e gjykatëses Gërguri ka arritur me vonesë në adresë të tij, andaj edhe njoftimi për anulimin e kësaj seance u është dërguar palëve ditën e djeshme.

Po ashtu, një lajm të tillë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Enver Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi, e cila ka deklaruar se njoftimin për anulimin e kësaj seance e kishte marrë përmes e-mailit nga gjykata, dje pas mesnatës.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe me gjykatësen Shadije Gërguri, e cila ka konfirmuar se është caktuar nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi, për ta përfaqësuar këtë gjykatë në një takim zyrtar, takim ky i cili, sipas saj, do të zgjasë tërë ditën.

Në fund, gjykatësi Hoti i pyetur për seancës e radhës, ka deklaruar se akoma nuk ka vendosur për caktimin e saj, por se këtë seancë planifikon ta mbajë brenda muajit qershor.

Ndryshe, Enver Sekiraqa ishte dënuar më 17 maj 2016 nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor të vitit të kaluar, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi