Kompania “Insig” në procedurë të likuidimit, ndërpritet procedura civile

Kompania “Insig” në procedurë të likuidimit, ndërpritet procedura civile

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është ndërprerë procedura civile në rastin ku paditësja Arditë Gashi, po kërkon nga kompania e sigurimeve “Insig”, kompensimin e dëmit pas aksidentit në trafik.

I autorizuari i të paditurës, Bajram Dili, i ka propozuar gjykatës që të ndërpritet procedura civile me arsyetimin se tani më e paditura, kompania e sigurimeve “Insig”, është në procedurë të likuidimit.

Një propozim të tillë nuk e ka kundërshtuar as përfaqësuesi i paditëses, avokati Blerim Syla, me arsyetimin se tanimë është i njoftuar me faktin.

Ndërsa, gjykatësi i rastit Hysni Ismaili tha se gjykata është e njoftuar me kohë për faktin se e paditura është në procedurë të likuidimit, i cili më pas e ka ndërprerë këtë procedurë, duke thënë se përshkrimin e vendimit me arsyetim të zgjeruar do t’ua dorëzojë palëve në mënyrë të rregullt gjyqësore.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 2 tetor 2014, paditësja Arditë Gashi, po kërkon nga e paditura, kompania e sigurimeve “Insig”, në Prishtinë, kompensimin e dëmit të shkaktuar në komunikacion në vlerë prej 4900 euro.

Sipas padisë, më 25 gusht 2014, në fshatin Shakovicë, rruga Prishtinë-Podujevë, është shkaktuar aksident komunikacioni, ku paditësja kishte qenë si pasagjere dhe kishte pësuar lëndime trupore.

Në padi thuhet se deri te shkaktimi i aksidentit kishte ardhur me fajin e ngasësit të automjetit A, i cili duke mos mbajtur distancën e duhur të sigurisë në mes të automjeteve në komunikacion, kishte goditur pjesën e pasme të automjetit B, dhe si pasojë e kësaj goditje kishte pësuar lëndime trupore, paditësja Arditë Gashi.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi