Mungesa e prokurorit shtyn gjykimin ndaj ish-referentes së Gjykatës Supreme

Mungesa e prokurorit shtyn gjykimin ndaj ish-referentes së Gjykatës Supreme

Mungesa e prokurorit Rafet Halimi, ka bërë që të dështojë shqyrtimi gjyqësor në të cilin për akuza për korrupsion janë duke u akuzuar ish-referentja e Gjykatës Supreme, Bukurije Haxhimurati dhe ish-polici, Burim Veseli.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra njoftoi dy të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se prokurori Rafet Halimi, i cili deri tash e ka përfaqësuar aktakuzën, e ka njoftuar gjykatën që i ka skaduar mandati që të përfaqësojë lëndë në Departamentin e Krimeve të Rënda, ndërsa për këtë seancë, sipas tij, Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka caktuar ndonjë prokuror tjetër.

Ndryshe, në sallën e gjykimit përpos të akuzuarve ishte prezent edhe dëshmitari Sylejman Mujota, ndërsa munguan dëshmitarët Remzi Murseli dhe Shahinderi Pllunci.

Seanca e radhës është caktuar më 9 korrik, nga ora 9:00.

Gjykimi ndaj Haxhimuratit dhe Veselit, kishte dështuar edhe në seancën e kaluar të 26 marsit 2019. Në atë seancë për shkak të trajtimit mjekësor në Shqipëri, kishte munguar e akuzuara Bukurije Haxhimurati.

Gjatë të premtes, përpos kësaj seance, në mungesë të prokurorit Halimi, ka dështuar gjykimi edhe ndaj ish-kryetarit të bordit të “Kosova Thëngjilli”, Tahir Zeneli, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndryshe, ky rast kishte qenë duke u trajtuar nga EULEX-i, por pasi që ky mision kishte përfunduar mandatin e tij në qershor të vitit 2017, kjo lëndë ishte bartur në PSRK, e cila me 26 gusht 2016, kishte ngritur aktakuzë. Por, sipas PSRK, në këtë rast nuk kemi të bëjmë më krim të organizuar, dhe si rrjedhojë, lënda është bartur në kompetencë në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, gjatë periudhës kohore të viteve 2011 dhe 2013, Haxhimurati në cilësinë e personit zyrtar, si referente në Gjykatën Supreme, nga ana e dëshmitarit C kishte marrë ryshfet për vete dhe për persona tjerë të panjohur shumën prej 13.000 eurosh, kjo në këmbim të lehtësimit të lirimit të këtij të fundit nga burgu apo për zbutjen e dënimit, i dhënë ky me aktgjykim.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Haxhimurati më tutje ka marrë 500 euro nga Burim Veseli dhe Remzi Murseli, para këto të marra fillimisht nga dëshmitari C, me qëllim të lirimit të tij nga burgu ose zbutjen e dënimit. Sipas të njëjtës aktakuzë, tani Remzi Murseli konsiderohet si dëshmitar bashkëpunues.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprat të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe ushtrim i ndikimit. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi