Lluka: Do të fillojë ristrukturimi i përgjithshëm i Telekomit

Lluka: Do të fillojë ristrukturimi i përgjithshëm i Telekomit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka paralajmëruar se këtyre ditëve do të nisë ristrukturimi i përgjithshëm në Telekom, që nga burimet njerëzore, borxhet, zyrat ligjore dhe çdo gjë tjetër.

Lluka ka thënë se përmes këtij ristrukturimi parashihet ulja e shpenzimeve në të gjitha format, duke nisur prej ristrukturimit të gradave të punëtorëve dhe uljes së pagave për punëtorët e kësaj ndërmarrje.

“Ristrukturimi në Telekom do të ndodh dhe do të fillojë tash, po flasim për ditët në vijim për arsye se Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim është inkuadruar, ka tenderuar ekspertizën për ristrukturim, pra ekspert i jashtëm do të vijë ta bëjë një hulumtim, një analizë të Telekomit dhe pastaj do të vijmë me rekomandime të sakta për ristrukturimin dhe aty mund të ketë ristrukturim që nga burimet njerëzore deri te borxhet, zyrat ligjore dhe çdo gjë tjetër pra, ristrukturim i përgjithshëm i Telekomit. Kjo parasheh ulje të shpenzimeve në të gjitha format, qoftë më rialukimin e gradave të punëtorëve sepse e dimë që në Telekom ka shumë punëtorë. Mirëpo problemi është që ka shumë punëtorë me grada të larta, ka shumë menaxherë, mbikëqyrës, prandaj të gjitha këto duhet të ristrukturohen në të mirë të Telekomit dhe kjo do të luajë rol në listën e përgjithshme të pagave që ka Telekomi”, ka thënë Lluka për Ekonomia Online.

Por, për Llukën edhe nëse Telekomi arrin ta sigurojë ekzistencën e vet në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet produktiv ashtu siç do të mund të bëhej pas privatizimit.

“Besoj që shumë shpejt Telekomi do të këndellet dhe do të ketë një situatë ku do të mund të ketë bilanc pozitiv të fitimit. Ne e dimë që Telekomi është i mbipunësuar. E dimë që në Telekom ka potencial për zhvillim dhe qëllimi ynë është privatizimi si plan final i Telekomit dhe aty duhet të fokusohemi. Telekomi edhe nëse arrin ta sigurojë ekzistencën e vet, në asnjë formë nuk mund të bëhet produktiv dhe efikas siç mund të jetë një Telekom i menaxhuar nga sektori privat. Qeveria e Kosovës do të mbetet aksionar me 25 deri 49 për qind dhe vlera e këtyre aksioneve, që do të mbetet do të ketë më shumë vlerë sesa 100 për qind të aksioneve që kemi aktualisht”, tha ai.

E duke folur për borxhin që i detyrohet Telekomi t’ia paguajë kompanisë Z-Mobile, Lluka tha se janë duke negociuar që të gjendet një formë për ta paguar këtë borxh i cili është i obligueshëm.