Tahiri kërkon konfiskim të pasurisë të grupeve kriminale

Tahiri kërkon konfiskim të pasurisë të grupeve kriminale

Konfiskimi dhe sekuestrimi i parave të grupeve kriminale të fituara jashtëligjshëm po konsiderohet si mënyra më e mirë për t’i dobësuar ato. Ndërsa, për grupin i cili po dyshohet për fajde dhe mashtrim po kërkohet që mos të përfundojë si rastet e tjera të pazgjidhura, por këta njerëz të filtrohen nga institucionet e drejtësisë.

Megjithëkëtë, në bazë të kaluarës ka skepticizëm, sipas monitoruesve të sistemit të drejtësisë, prej vitit 2013 vetëm 2 milionë euro janë konfiskuar dhe sekuestruar. Kurse, shtojnë se 90 për qind të prokurorëve nuk parashtrojnë kërkesa për sekuestrimin apo konfiskim të pasurisë të fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Pavarësisht kësaj, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë se e vetmja mënyrë për të dobësuar grupet kriminale është konfiskimi i pasurisë.

Sipas tij, nëse në aktvendime dënuese ia len pasurinë e fituar përmes krimit të organizuar ose korrupsionit, atëherë nuk do të dobësohet fuqia e këtyre grupeve kriminale.

Angazhim më të madh në këtë drejtim po kërkon deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Ajo thotë se institucionet e drejtësisë duhet të jenë më efikase në mënyrë që ky grup kriminal mos të përfundojë si gupet e tjera.

Për KosovaPress, Haxhiu shprehet se dhe me anë të ligjit anti-mafia, sistemit të drejtësisë, do i’u jepej më shumë kompetenca ligjore për konfiskim dhe sekuestrim të pasurisë së paligjshme.

Nga IKD, organizatë që e monitoron sistemin e drejtësisë, thonë se mbi 90 për qind të rasteve, prokurorët asnjëherë në aktakuza nuk e identifikojnë pasurinë e paligjshme dhe nuk paraqesin kërkesa për konfiskim.

Duke u bazuar në këto, drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj thotë se prej vitit 2013 janë konfiskuar pasuri e paligjshme një apo 2 milionë euro.

Ndryshe, për katër nga pesë personat e dyshuar për fajde dhe mashtrim të arrestuar në fillim të javës, Prokuroria Themelore ka caktuar një muaj paraburgim.