Bizneset e diasporës interesohen për investime në energji në Kosovë

Bizneset e diasporës interesohen për investime në energji në Kosovë

Në ditën e dytë të konferencës ekonomike të diasporës shqiptare nga Evropa, u theksua nevoja e bashkëpunimit më të madh të bizneseve kosovare me ato të diasporës me qëllim që eksporti i produkteve vendore të mbërrijë sa më lehtë në tregjet e Evropës. Ndërsa u tha se interesi i diasporës është më shumë te investimet në energji përmes hidrocentraleve ose energjisë me erë.

Në panelin e organizuar ku si temë ishte Diaspora si agjent ndërmjetësues për të bërit biznes në tregjet e huaja, gjithashtu u vlerësua roli i diasporës në investime strategjike që me anë të tyre po i ndihmon disa sektor në krijimin dhe gjenerimin e vendeve të punës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë për Investime dhe përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Nol Buzhala duke përmendur angazhimin e tyre për promovim  të produkteve vendore për të eksportuar jashtë, tha se deri më tani kanë organizuar rreth 6 panaire nga 16 të planifikuara në Evropë dhe shtete të tjera.

Nga departamenti për hulumtime dhe përkrahje e investimeve të diasporës, në kuadër të Ministrisë së Diasporës, Besim Berisha tha se në kuadrin e investimeve  strategjike interes më të madh nga diaspora ka për investime në energji ose në energjinë e rinovueshme përmes hidrocentraleve ose energjisë me erë.

Drejtori i projektit të USAID-it EMPOWER, Skender Rama u shpreh se i gjithë projekti i tyre qëllim kryesor ka ndihmën karshi bizneseve që të rriten dhe të krijojnë vende të reja të punës.

Për rolin e diasporës në eksportimin e produkteve të bizneseve kosovare në Evropë foli themeluesi i Iniciativës Ekonomike të Kosovës, Kujtim Dobruna.

Ai tha se diaspora me anë të investimeve ndihmon disa sektor që kanë të bëjnë në krijimin dhe gjenerimin e vendeve të punës.

Kurse, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha tha se prodhimi ka avancuar jashtëzakonisht shumë, jo vetëm në drurin, ushqimin dhe plastikën. Por dhe në aspekte të tjera.

Pas kësaj konference, një delegacion i diasporës ka planifikuar vizitë komunën e Vushtrrisë dhe disa biznese të tjera në Ferizaj.