Saviçeviq ‘sulmon’ Arijanet Muriqin, e motivon Fatos Beqirajn!

Saviçeviq ‘sulmon’ Arijanet Muriqin, e motivon Fatos Beqirajn!

Ish-futbollisti i mirënjohur i Milanit, Dejan Saviçeviq, tani kryetar i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, ka folur për ndeshjen që malazezët e luajnë me Kosovën.

Mali i Zi – Kosova, zhvillohet më 6 qershor në Podgoricë, pa praninë e shikuesve, shkaku i dënimit të Federatës Malazeze.

Saviçeviq është ndalur tek Arijanet Muriqi, portieri i Kosovës, që më parë ka ruajtur portën e U-21 të Malit të Zi.

“Muriqi kushtëzoi Federatën tonë për të luajtur në kombëtaren A, edhe pse nuk kishte asnjë minutë të vetëm me klubin e tij. Ne i thamë atij se do të jetë në kombëtaren A kur të ruajë portën e klubit. Ne nuk mund ta ftonim atë për shkak të lojtarëve tjerë, të cilët nga të rinjtë e kërkojnë A-n”, deklaroi Saviçeviq për “TVCG”, raporton Olle.

Ai foli edhe për Faton Beqirajn,sulmuesin nga Peja që do të vesh fanellën e Malit të Zi, kundër vendit të tij.

“Fatosi do të ketë motiv, ai gjithmonë luan me vullnet dhe dëshirë për Malin e Zi. Kur të fillojë loja, asgjë nuk do të ketë rëndësi”, shtoi i pari i federatës malazeze.

I pyetur për ndeshjen, ai theksoi se mund ta mposhtin Kosovën, pasi Mali i Zi është më i fortë.