Euroskeptikët pro BE-së

Euroskeptikët pro BE-së

Kryeqytete në konflikt me Brukselin, por pavarësisht këtij fakti nuk duan të ndjekin shembullin e Londrës. Partitë anti-BE apo anti-euro të lidhura me pushtetin po ushtrojnë ndikim në shumë shtete.

Euroskepticizmi nuk është gjithmonë pjesë e partive klasike politike. Disa parti të ekstremit të djathtë nuk vënë në pikëpyetje Bashkimin Europian, ku krejt ndryshe nga kjo qasje, një pjesë e së majtës radikale kërkon të shkëputet.

-Britania e Madhe-

Në parim, euroskeptikët janë shumicë në Britaninë e Madhe, 52% e votuesve zgjodhën Brexit në referendumin e vitit 2016, por peripecitë e Brexit paradoksalisht detyruan britanikët të marrin pjesë më 23 maj në zgjedhjet europiane ku rezultatet do të shpallen të dielën.

Themeluesi i Ukip, Nigel Farage, i cili tani drejton një parti të re, partinë Brexit, renditej i pari në sondazhe në prag të zgjedhjeve.

-Holandë-

Dy partitë euroskeptike dhe populiste, Partia për Lirinë anti-Islam e Geert Wilders (PVV) dhe Forumi për Demokraci i Thierry Baudet (FvD) bënë fushatë për zgjedhjet europiane, të cilat u mbajtën të enjten në Holandë.

Sipas rezultateve paraprake, FvD (e cila nuk ishte e përfaqësuar në Parlamentin e mëparshëm Europian) do të fitojë tre nga 26 vendet e Holandës, më pak se parashikimet e sondazheve. Dhe PVV do të shënonte një rënie nga katër në një eurodeputet.

-Hungari-

Kryeministri Viktor Orban e përqendroi fushatën e tij zgjedhore të 26 majit në denoncimin e institucioneve europiane.

Pasi sulmoi pa baza kuotat e akomodimit të refugjatëve në Gjykatën e Drejtësisë të BE, ai është subjekt i një kërkese për sanksione nga Parlamenti Europian, i cili e kritikon për vënien nën tutelë të medias, drejtësisë apo universitetet.

Partia e tij, Fidesz (aktualisht 11 eurodeputetë nga 21) u pezullua në mars nga Partia Popullore Europiane (e djathta).

-Poloni-

Qeveria konservatore PiS (Partia Ligj dhe Drejtësi) e udhëhequr nga Jaroslaw Kaczynski (14  eurodeputetë nga 51) po përballet me sanksione europiane për mosrespektimin e sundimit të ligjit, në lidhje me një reformë të Gjykatës së Lartë.

-Republika Çeke-

I emëruar nga një president euroskeptik dhe pro-rus, Milos Zeman, kryeministri Andrej Babis, i partisë populiste ANO (2 eurodeputetë nga 21, por afër 30% të votave në zgjedhjet legjislative të vitit 2017) kundërshtuan Brukselin për imigracionin dhe rrezikon të jetë objekt i një procedure europiane për konflikt të interesit në lidhje me perandorinë e tij industriale.

Një parti e ekstremit të djathtë euroskeptik, SPD (19 deputetë kombëtare nga 200) synon të hyjë në Parlamentin Europian.

-Rumani-

Qeveria Social-Demokrate rrezikohet të jetë objekt i sanksioneve nga Komisioni  për një projektreformash të diskutueshëm të sistemit gjyqësor. Presidenti i Republikës, Klaus Iohannis, një pro-europian i qendrës së djathtë ka thirrur në referendum në po të njëjtën ditë me zgjedhjet europiane për të kundërshtuar këtë reformë.

Lideri me peshë i Partisë Social Demokrate është ish-kryeministri, Liviu Dragnea, ku masa e dënimit me tre vite e gjysmë burg për mashtrimin zgjedhor pritet të konfirmohet ose të anulohet vendimin në shkallën e parë një ditë pas zgjedhjeve.

-Itali-

Qeveria populiste kundërshtoi ashpër shumicën e partnerëve të saj duke mbyllur portet për emigrantët dhe nisi një përballje, që u mbyll me arritjen e një marrëveshje me Komisionin për buxhetin e 2018 që anashkalonte vijën europiane.

Dy komponentët e qeverisë, Liga e Matteo Salvinit (gjashtë eurodeputetë nga 73) dhe Lëvizja pesë Yjet e Luigi di Maio (aktualisht 11 eurodeputetë) ngritën suksesin e tyre me retorikën anti-emigrantë dhe anti-BE.

-Austri-

Partia e ekstremit të djathtë euroskeptik FPÖ u godit rëndë nga skandali që çoi në shpërbërjen e koalicionit me konservatorët. Të gjithë ministrat e FPÖ dhanë të hënën dorëheqjen, pas publikimit të një video skandali ku lideri nacionalist Heinz-Christian Strache ishte i gatshëm të bënte marrëveshje të fshehta me Rusinë.

-Danimarkë-

Partia Popullore Daneze (3  eurodeputetë nga 13), partia anti-emigracion e cila planifikon të largohet nga BE-ja.

-Estoni-

Partia euroskeptike e ekstremit të djathtë EKRE, që shënoi sukses në zgjedhjet parlamentare të 3 marsit, e cila nuk ka asnjë eurodeputet, është pjesë e  koalicionit të 24 prillit me qeverinë e udhëhequr nga centristi Juri Ratas.

-Portugali-

Blloku i së majtës, i cili parashikon daljen nga euro, por jo nga BE-ja, dhe Partia Komuniste, pro daljes nga euro dhe ndoshta edhe nga BE-ja, mbështesin qeverinë socialiste, pa qenë pjesë e saj. Këto dy parti numërojnë katër eurodeputetë portugezë nga 21.

– Finlandë –

Partia Finlandezët e vërtetë (2 eurodeputetë nga 13), pro daljes nga euro, por që la në heshtje programin e saj anti-europian kur u bë pjesë e koalicionit qeverisës midis periudhës 2015 dhe 2017, regjistroi një sukses të madh në zgjedhjet legjislative të 14 prill.

– Francë –

Fronti Kombëtar (rreth 15 eurodeputetë nga 74) e ndryshoi emërtimin në Grumbullimi Kombëtar, duke zbutur retorikën anti-europiane të fushatës presidenciale të vitit 2017, por pa ndryshuar qëndrimin anti-emigracion. Kjo forcë politike është në garë me lëvizjet e tjera si Në Këmbë Francë ose Patriotët (dy eurodeputetë secila).

– Gjermani –

Partia anti-euro dhe anti-emigracion e themeluar në vitin 2013, Alternativa për Gjermaninë (AfD) fitoi 12,6% të votave në zgjedhjet legjislative të vitit 2017, duke trazuar skenën politike.

-Suedi-

Demokratët e Suedisë (2 eurodeputetë nga 20), të cilët planifikojnë largimin nga BE-ja, po luajnë rolin e arbitrit midis dy forcave të mëdha dominuese në politike, të majtës dhe të djathtës./ATSH/