Pique “konfirmon” Valverden: Jemi të trishtuar

Pique “konfirmon” Valverden: Jemi të trishtuar

“Nuk ka justifikime, jemi Barcelona. Kemi detyrimin për të fituar gjithçka”.

Nëse këtë e thotë Gerard Pique, dikush që ka fituar gjithçka me të vërtetë, do të thotë se kështu është.

Sezoni i Barcelonës mbyllet me vetëm një trofe, atë të La Liga-s. Mjafton të kujtosh se pas ndeshjes së parë në Champions, me Liverpulin, “blaugranat” dukeshin në sulm drejt triumfit të trefishtë, por, në fund, erdhën dy zhgënjime të mëdha, diçka me të cilën tifozët në “Camp Nou” nuk janë mësuar dhe aq shumë, dhe mbrojtësi këtë e di mirë.

“Ishte një vit i mirë, fituam La Ligan, por nuk dalim me një shije të ëmbël nga ky sezon, gjërat mund të kishin shkuar më mirë”, tha Pique.

Fjalët e “flamurit” të skuadrës katalane kërkojnë të hedhin dritë mbi atë se çfarë nuk funksionoi në muajin e fundit, kur skuadra e Valverdes stonoi, duke ndërprerë një seri fituese, që dukej se nuk do të kishte fund. Bërthama e zhgënjimit, natyrisht lindi në “Anfield”.

“Nëse do të kishim kaluar në Liverpool, jam i bindur se do të kishim realizuar triumfin e trefishtë, ndërsa tani kemi vetëm La Ligan. Skuadra, në këtë aspekt, është vërtet e trishtuar. 15 ditët e fundit nuk ishin në lartësinë e Barcelonës, por tani nuk duhet të marrim vendime të nxituara”.

Kujt i referohet Pique? Natyrisht që Valverdes. Tifozët kërkojnë kokën e trajnerit, por Pique në këtë rast bën “mbrojtësin”.

“Nuk na shqetëson e ardhmja e tij. Vendimi nuk varet nga ne, por e kemi thënë më shumë se një herë. Neve do të na pëlqente që të vazhdonim me të. Punojmë mirë. Tani kemi një verë për të analizuar se si shkuan gjërat, në nivel individual dhe atë të grupit. Besoj se drejtuesit e kanë marrë një vendim dhe kanë zgjedhur respektin. Valverde është trajneri që na ka bërë të fitojmë tituj dhe me të do të fitojmë të tjerë”, theksoi Pique.