VIDEO-Analistët i cilësojnë joshqetësuese deklaratat e krerëve të Serbisë

VIDEO-Analistët i cilësojnë joshqetësuese deklaratat e krerëve të Serbisë

Në një takim me serbët e Kosovës, presidenti i Serbisë, Vuçiq dje paralajmëroi masa të fuqishme kundër Kosovës, pasi vendimi për taksën nuk po tërhiqet.

Në një konferencë për media Vuçiq tha se do të punojë që këto masa, të mos i godasin sipas tij, serbët në Kosovë.

Në këtë takim ishin prezentë edhe katër kryetarët e komunave që fituan në zgjedhje në veri, por të cilët përsëri paralajmëruan dorëheqje.

E këto deklarata në Kosovë po vlerësohen si presion për ta hequr taksën.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka vlerësuar se paralajmërimet e Vuçiqit në parim nuk janë rrezik për sigurinë në vend.

"Deklaratat e tilla janë kërcënuese, meqë ato vijnë në kohë të caktuar, dhe presioni ndaj Kosovës po bëhet më i madh për shkak se taksa ndaj Serbisë, është parë si mjaft efikase dhe mjeti më i fuqishëm ndaj Serbisë deri më tash", thotë Islami.

Deklaratat e tilla, sipas analistëve, mund të thellojnë problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas analistit Blerim Burjani, Kosova dhe Serbia nuk duhet të merren me masa ndaj njëra-tjetrës, por me dialog.

"Nuk duhet të shkojmë kah tensionimi i skajshëm qysh e kemi rastin në njërën anë nga Kosova me tensionim të situatës me fjalor të ashpër, dhe në anën tjetër Serbia me fjalor shumë nacionalist. Kjo nuk çon kah zgjidhja, por çon kah një konflikt i ngrirë ose tjetër", thotë Burjani.

Presidentit serb dje gjatë ditës i reagoi edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një postim në rrjetin social Facebook, i pari i qeverisë i bëri thirrje Vuçiqit të reflektojë, dhe ta pranojë realitetin në Kosovë.