Dramë në `San Siro`, Interi në Champions - Empoli në Serie B

Dramë në `San Siro`, Interi në Champions - Empoli në Serie B

Java e fundit e Serie A ishte një nga më emocionueset e viteve të fundit. Titulli ishte vendosur, por lufta për dy vendet e mbetura në Champions League ishte e ashpër.

Inter luante brenda ndaj Empolit dhe ka fituar 2-1 falë supergolit të Keita Balde. Zikaltërve u duhej një fitore për të siguruar kualifikimin dhe gjatë pjesës së parë kanë bërë një rekord prej 8 goditjeve në kuadrat, por kanë gjetur një Dragowski në super formë. Pas pushimit, i porsa futuri në fushë Balde ka zhbllokuar rezultatin dhe që prej atij momenti vendasit ishin më të qetë duke kontrolluar ndeshjen. Icardi mund të kishte dyfishuar rezultatin, por gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Më pas filloi çmenduria, Empoli barazon me Traore pak përpara se Nainggolan të rikthente avantazhin për vendasit. Megjithatë, Inter ka vuajtur shumë dhe me shumë fat ka arritur të ruajë vendin e katërt pasi Empoli duhet të paktën të kishte barazuar këtë ndeshje me mundësitë e shumta që ka krijuar në minutat e fundit. Inter i tmerrshëm, por që arrin kualifikimin. 

Atalanta ka fituar 3-1 ndaj Sassuolos dhe ka bërë një arritje të pabesueshme duke u kualifikuar në edicionin e ardhshëm të Champions League. Të besuarit e Gasperinit e kanë mbyllur sezonin në vend të tretë, duke lënë mbrapa skuadra me histori si Milan dhe Roma. Ndeshja nisi shumë keq për vendasit teksa Berardi ka shënuar golin e avantazhit për miqtë. Megjithatë, Zapata ka barazuar pak përpara fundit të pjesës së parë. Kur përfundoi pjesa e parë, pati një sherr të madh në fushë dhe Berardi duhet të dilte me karton të kuq. Kjo ja bëri më të thjeshtë gjërat vendasve të cilët shënuan dy gola të tjerë në pjesën e dytë duke siguruar fitoren. 

Milan ka fituar me shumë vështirësi me SPAL me rezultatin 3-2, por fitorja nuk i ka mjaftuar pasi Inter dhe Atalanta duhet të bënin një hap fals. Kuqezinjtë e nisën mirë ndeshjen duke shënuar dy gola me Calhanoglu dhe Kessie. Vicari ka ngushtuar diferencën për vendasit. Pas pushimit Fares gjeti golin e avantazhit përpara se Kessie të rikthente avantazhin për miqtë. Milan e menaxhoi mirë ndeshjen deri në fund të takimit./Telesport/