Prokuroria heq dorë nga akuza për keqpërdorim detyre ndaj Sokol Bashotës

Prokuroria heq dorë nga akuza për keqpërdorim detyre ndaj Sokol Bashotës

Pak ditë pasi që ka marr postin e kryetarit të degës së PDK-së në Klinë, Prokuroria Themelore në Pejë, ka hequr dorë nga ndjekja penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndaj ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota.

Kjo prokurori, ka hequr dorë nga ndjekja penale për të njëtën vepër penale edhe ndaj tre të akuzuarve tjerë në këtë rast, Enver Berisha, Esat Rraci dhe Fadil Gashi.

Për heqjen dorë nga ndjekja penale në këtë rast, ka bërë të ditur prokurorja Sahide Gashi, në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo ka deklaruar se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkoheshin.

Ndërkaq, Bashota dhe Berisha akuzohen edhe për mos deklarim të pasurisë.

Prokurorja Gashi ka kërkuar që Bashota të shpallet fajtor dhe t’i ndalohet funksioni i ushtrimit të detyrës zyrtare për shkak të mos deklarimit të pasurisë dhe atë një banesë në Prishtinë dhe një “BMW X5”.

Por, mbrojtësi i Bashotës, avokati Gëzim Kollçaku, ka thënë se pretendimet e tilla nuk qëndrojnë, sepse banesa në Prishtinë, që nga viti 2011 nuk ka banuar sepse ka qenë banesë familjare, dhe se ka qenë në emër të vëllait të tij dhe të ardhurat e qirasë i ka marrë vëllau i tij.

Ndërsa, për pretendimin se nuk është lajmëruar vetura “BMW X5”, Kollçaku ka thënë se vetura është lajmëruar çdo vit në Agjencinë Kundër Korrupsion, duke i cilësuar si të pabazuara pretendimet e prokurores.

Ai ka propozuar që klienti i tij, të lirohet nga akuza për mos deklarim të pasurisë.

Bashota në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se do të mbrohet në heshtje.

“Jam duru shumë që të mbrohem në heshtje për shkak të terminologjisë juridike, mos po gaboj najkun”, ka thënë ai.

Mbrojtësi i të akuzuarit Enver Berisha, avokati Gëzim Baloku ka thënë se prokurorja Gashi do duhej të hiqte dorë edhe për veprën penale të mos deklarimit të pasurisë, sepse sipas tij, nuk është provuar kjo vepër penale.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar të bëhet më 29 maj, nga ora 14:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 4 gusht 2016, të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas pretendimit të prokurorisë, gjatë procesit të ndarjes së banesave me qira, në pronësi të Komunës së Klinës, kanë bërë marrëveshje politike (Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë), për shpërndarjen e banesave. Pas kësaj marrëveshje, të pandehurit kanë ndikuar në procesin e vendimmarrjes, ku kanë anashkaluar aplikantët me gjendje të rëndë ekonomike dhe kanë shpërblyer shokët e tyre partiakë me banesa.

Sipas prokurorisë, dy të pandehurit Esat Rraci dhe Fadil Gashi, duke shfrytëzuar dispozitat e Ligjit për shitjen e banesave, në të cilat ekziston e drejta banesore, kishin paraqitur kërkesa me shkrim për blerjen e banesave, të cilat u ishin ndarë atyre. Por, si rezultat i hetimeve, procesi i blerjes ishte pezulluar.

Prokuroria, gjithashtu e ngarkon kryetarin e Klinës, Sokol Bashota, dhe Enver Berishën, edhe me veprën penale “mos-raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. Prokuroria i akuzon të pandehurit se në periudhën janar 2009 deri në qershor 2016, nuk kanë përfshirë të dhënat ose informacionet, kur kanë paraqitur deklarimet e tyre pasurore në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ndryshe, të pandehurit ishin akuzuar edhe me veprën penale “mashtrimi në detyrë”, por kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, më herët e kishte hudhur poshtë këtë pikë të aktakuzës.

Rrjedhshmëria e seancave dhe vendimeve gjyqësore

Pas ngritjes së aktakuzës, të pandehurit kishin mohuar akuzat për korrupsion dhe atë në të dy seanca të ndryshme gjyqësore.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 12 dhjetor 2016, në Gjykatën Themelore në Pejë, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, ndërsa më 31 mars 2017, pas zgjerimit dhe ndryshimit të aktakuzës nga prokurorja Bolici, edhe njeherë, katër të akuzuarit i kishin mohuar akuzat të cilat iu vihen në barrë.

Pas zgjerimit të aktakuzës, gjykata  kishte mbajtur shqyrtimin e dytë më 30 qershor 2017, ku të akuzuarit me mbrojtësit e tyre ishin deklaruar lidhur me kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe provave.

Në këtë seancë,  mbrojtësi i dytë i të akuzuarit Bashota, avokati Haxhi Millaku, kishte kërkuar nga gjykata që CD-ja e përgjimeve, si provë e cila është bashkëngjitur akuzës, të hedhet në tërësi, pasi në atë CD, sipas tij, janë të përfshira edhe bisedat privatë të të akuzuarit Bashota.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Besnik Berisha, kishte kontestuar ndjekjen penale ndaj të mbrojturit të tij, Fadil Gashi, me arsyetimin se ka arritur parashkrimi relativ i veprës penale.

Lidhur me pretendimet e mbrojtjes të të akuzuarve për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave, Gjykata Themelore në Pejë, më 30 nëntor 2017, kishte aprovuar pjesërisht të bazuar kërkesën e avokatëve Gëzim Kollçaku dhe Haxhi Millaku, mbrojtës të kryetarit të Komunës së Klinës, Sokola Bashota, dhe ka përjashtuar nga shkresat e lëndës CD-në me materiale të pranuara nga Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), e njohur si prova “CD 1”.

Në aktvendim thuhej se masa e fshehtë e përgjimit të telefonit të të pandehurit Sokol Bashota, përkatësisht SMS-të e regjistruar në CD, shumica prej tyre kanë të bëjnë kryesisht me jetën private të tij.

Sipas gjykatës, SMS-të nuk kanë të bëjnë me të provuarit e ndonjë elementi të veprave penale, dëmit të shkaktuar me vepër penale, mbrojtjes nga ndjekja apo ndonjë çështje tjetër të rëndësishme.

Përveç pranimit të kundërshtimit të provës “CD 1” nga mbrojtësit e të akuzuarit Bashota,  gjykata kishte refuzuar të gjitha kundërshtimet për provat tjera të akuzës, të parashtruara nga dy mbrojtësit e Bashotës, nga i pandehuri Esat Raci  si dhe avokati Besnik Berisha, mbrojtës i të pandehurit Fadil Gashi.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, me 6 shkurt 2018, kishte anuluar vendimin e gjykatës se shkallës se parë, duke e kthyer të njëjtën në rivendosje.

“Betimi për Drejtësi” kishte siguruar edhe aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku thuhej se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Gashi, avokatit Besnik Berisha, lënda duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje.

Në arsyetimin e këtij aktvendimi thuhej se Apeli nuk mund ta pranojë vendimin e gjykatës së shkallës së parë, pasi që i njëjti është marrë me shkelje të së drejtës thelbësore të palës. Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk duhet të shpreh mendim nëse është personi i akuzuar person zyrtar apo jo, dhe të deklarohet se çfarë vepre përbëjnë veprimet e të akuzuarit.

Kurse, Gjykata e Apelit e Kosovës me 30 maj 2018, duke vendosur sipas ankesave, e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila më 19 prill të atij viti, kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës, në rastin e ish-kryetarit të Klinës, Sokol Bashota si dhe të akuzuarve tjerë Esat Raci, Enver Berisha e Fadil Gashi, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi