Dështon gjykimi ndaj të akuzuarit që dyshohet se i ka shkaktuar dëm KEDS-it

Dështon gjykimi ndaj të akuzuarit që dyshohet se i ka shkaktuar dëm KEDS-it

Për të dytën herë me radhë ka dështuar seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Nexhmedin Zeka, i cili akuzohet për lidhje të paautorizuar në rrjetin elektrik.

Zeka akuzohet se në restorantin e tij “Semitronix”, ishte furnizuar në mënyrë të paautorizuar me energji elektrike, me ç’ rast dyshohet se i ka shkaktuar dëme materiale kompanisë “KEDS”, mbi 22 mijë euro.

Arsyeja e dështimit të kësaj seance ishte mungesa e të pandehurit Nexhmedin Zeka, e që sipas mbrojtësit të tij, avokatit Mustafë Kastrati, i njëjti nuk ka mundur të paraqitet në seancë për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në hotelin e tij.

Sipas gjykatëses të rastit, Violeta Husaj –Rugova nëse i pandehuri nuk vjen në seancën e radhës ndaj tij do të lëshohet urdhërarrest.

Në këtë seancë ishte prezent prokurorja Ardita Beqiraj, si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar KEDS, Burhan Shabanaj.

Seanca e radhës është caktuar për 29 maj 2019, ora 9:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 6 tetor 2016, Nexhmedin Zeka akuzohet se 11 nëntor 2014, deri më 11 nëntor 2015, në restorantin e tij “Semitronix Center”, në Pejë, gjatë kontrollit nga personat e autorizuar të KEDS-it, është hasur në keqpërdorim të energjisë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka qenë duke u furnizuar me energji elektrike me një kabllo jashtë pikës matëse, ku pretendohet se i akuzuari në mënyrë të paautorizuar ka shpenzuar energjinë elektrike, me ç’ rast KEDS-it i ka shkaktuar dëme materiale në shumë prej 22.158,06 euro.

Sipas këtyre veprimeve, Nexhmedin Zeka akuzohet për “lidhje të paautorizuar në shërbime”, nga neni 321 të KPRK-së. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi