"Transformimi i FSK-së në ushtri po zbatohet sipas dinamikës së paraparë"

"Transformimi i FSK-së në ushtri po zbatohet sipas dinamikës së paraparë"

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Rrustem Berisha, vlerëson se faza parë e tranzicionit të Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës është duke u zbatuar sipas dinamikës së paraparë.

Në një intervistë për Radio Kosovën ai tha se në këtë fazë parashihet kompletimi i bazës ligjore dhe hartimi i dokumenteve strategjike. Sipas ministrit Berisha, fokusi i aktiviteteve është orientuar në parapërgatitjen e infrastrukturës ligjore.

Radio Kosova: Ministër Berisha, çfarë mund të na thoni për të arriturat gjatë këtyre 120 ditëve prej se janë miratuar ligjet për ndërrimin e misionit të FSK-së?

Ministri Rrustem Berisha: Kjo është një fazë me fokus të veçantë në parapërgatitjen e infrastrukturës ligjore, për të filluar planin e kalimit nga Ministria e FSK-së në Ministrinë e Mbrojtjes. Deri më tani ka shumë të arritura. Është miratuar plani gjithëpërfshirës i tranzicionit. Nga ana e Qeverisë së Kosovës është miratuar struktura e Ministrisë së Mbrojtjes dhe rregullorja për organizimin e brendshëm dhe funksionimin e saj.

Radio Kosova: Ministër Berisha, a janë dekretuar nga presidenti i vendit gradat dhe simbolet e FSK-së?

Ministri Rrustem Berisha: Gradat e oficerëve dhe nënoficerëve, flamujt e njësive, flamujt e gjeneralëve, grupet punuese për hartimin e akteve nënligjore dhe 28 rregullore pritet të përfundojnë deri në fund të vitit. Është marrë vendimi që edhe VEB faqja e FSK të dizajnohet dhe të kalojë në VEB faqen e Ministrisë së Mbrojtjes. Është punuar edhe në miratimin e listës së pajisjeve individuale dhe kolektive. Pastaj vlen të theksohet se në këtë periudhë kemi vazhduar punën rreth zgjerimit të infrastrukturës së objekteve që do t’i ketë në shfrytëzim Forca e Sigurisë në të ardhmen, siç është Aeroporti i Gjakovës dhe e kampi në Vrellë. Kemi vazhduar me plotësimin e personelit dhe fushatën e rekrutimin të 650 pjesëtarëve të rinj. Të gjitha këto parapërgatitje janë bërë më qëllim të fillimit të lëvizjes së kuadrove, oficerëve të lartë, shërbyesve civilë sipas organogramit ose me strukturën e re.

Radio Kosova: Ministër, çka përfshin plani gjithëpërfshirës?

Ministri Rrustem Berisha:Ne e kemi një plan 10 vjeçar të  tranzicionit, i cili fillon më 2019  dhe përfundon më 2029. Ky plan transparent është i ndarë në tri faza dhe në secilën fazë janë paraparë aktivitetet që do të mbahen. Faza  e parë është kompletimi i bazës ligjore, hartimi i dokumenteve strategjike, pra, është fazë ku përfshihet kompletimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe katër komandave që janë të parapara me strukturën e re. Në fazën e dytë kemi të bëjmë me modernizimin  e pajisjeve individuale, kolektive pastaj me ngritjen e kapaciteteve. Në faza e tretë parashihet arritja e kapaciteteve të plota operacionale dhe përfshirja e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit.

Radio Kosova: Z. ministër, në kohën kur u miratuan ligjet nga Kuvendi i Kosovës për formimin e Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes pati reagime nga shumë institucione ndërkombëtare. Tash, si është bashkëpunimi i Ministrisë së Mbrojtjes me NATO-n?

Ministri Rrustem Berisha: Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me NATO-n, kryesisht bashkëpunimi është përmes zyrës së NALT që është e vendosur brenda objektit të ministrisë. Falënderoj NALT-in për angazhimin e tij për FSK-ën. Ndërkaq Komiteti i Politikave Operacionale është duke zhvilluar bisedimet rreth bashkëpunimit të NATO-S dhe Kosovës dhe tashmë kanë filluar takimet brenda shteteve  të NATO-s, mendimet janë të ndara në mes shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe nga ato që nuk e kanë njohur Kosovën. NATO funksionon mbi bazën e konsensusit dhe kemi dy qëndrime: janë shtetet e NATO-s që kanë kërkuar avancimin e bashkëpunimit me Kosovën edhe në pesë fusha të tjera. Por janë edhe shtetet jo njohëse që kërkojnë ta shqyrtojnë bashkëpunimin. Në bazë të vlerësimeve tona ky nuk është proces që do të bëhet brenda një viti dhe nuk presim ndonjë vendim. Ne vlerësojmë se paqja e përhershme arrihet vetëm nëse anëtarësohen të gjitha shtetet e rajonit në NATO. Po ashtu edhe me KFOR-in kemi një bashkëpunim shumë të mirë dhe jemi mirënjohës për kontributin pothuajse që 20 vjet në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon edhe përkundër deklaratave kërcënuese të liderëve të papërgjegjshëm në rajon.

Radio Kosova: Ministër, thatë se në fazën e zgjerimit të infrastrukturës do ta merrni në shfrytëzim edhe Aeroportin e Gjakovës. Për çka do të përdoret dhe a do të thotë kjo se do të formohet edhe njësiti i aviacionit?

Ministri Rrustem Berisha:Në kuadër të zgjerimit të infrastrukturës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë ne kemi rënë dakord edhe me Qeverinë që fillimisht ta marrim dhe ta ruajmë këtë pasuri. Pastaj, për kapacitetet e tjera nuk parashihet që të ndodhë ndonjë kapacitet por  në fazën e dytë parashihet që të ngritët skuadrilja e helikopterëve. Pastaj do të analizojmë edhe për shtimin e kapaciteteve të tjera. Është një hapësirë e mirë që mund të na shërbejë për stërvitje, por edhe mbështetje të njësive të tjera dhe të ushtrive mike që vijnë në stërvitje të ndryshme te ne.

Radio Kosova: Ministër, si është duke shkuar procesi i rekrutimit të pjesëtarëve të rinj të FSK-së.

Ministri Rrustem Berisha: Janë 650 vende që ne duhet t’i plotësojmë. Interesimi i qytetarëve ka qenë shumë i madh, përafërsisht krahasimi është një me dhjetë dhe është shumë mirë që kemi pasur mundësi t’i zgjedhim më të mirët nga aplikuesit. Në kuadër të kësaj, pritet që 100 pjesëtarë jo shumicë të jenë pjesë e strukturës. Tani janë duke përfunduar ekzaminimet mjekësore. Besoj që shumë shpejt do të dalë edhe lista finale e atyre që janë pranuar. Ka pasur edhe një interesim të madh të gjinisë femërore për të qenë pjesë e strukturës. Por, nëse vlerësohet i tërë procesi, interesimi për të qenë pjesë e FSK ka qenë i jashtëzakonshëm.

Radio Kosova:Për t’i arritur të gjitha këto kapacitete zhvillimore a keni buxhet të mjaftueshëm?

Ministri Rrustem Berisha: Për vitin fiskal 2019 ka përfunduar dhe i kemi diku 5 milionë euro shtesë. Sa i përket buxhetit për të ardhmen mendoj se duhet të ngritët në një standard me NATO-n dhe një për qind e GDP të ndahet për FSK.

Radio Kosova: Z. ministër, në takimin ndërmjet FSK-së dhe partnerëve a është arritur ndonjë marrëveshje lidhur me kërkesat e FSK-së për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë?

Ministri Rrustem Berisha: I kemi prezantuar synimet tona, nevojat dhe kërkesat për të ardhmen. Brenda vitit i organizojmë dy konferenca, FSK dhe partnerët, dhe besoj që në fund të vitit partnerët do të vijnë edhe me propozime konkrete për ta mbështetur FSK-ën.

Radio Kosova: Gjatë kohës kur FSK-ja kishte mision tjetër, është thënë se nuk ka mandat për të shkuar në misione paqeruajtëse. Tash me ndryshimin e misionit, a është diskutuar për ndonjë mision paqeruajtës?

Ministri Rrustem Berisha: Kjo është një pyetje shumë interesante dhe shumë e qëlluar dhe përputhet me synimet tona, sepse tani ne edhe me mandatin aktual posedojmë kapacitete që mund të kontribuojmë edhe për sigurinë, që të mos jemi vetëm konsumues të sigurisë por të jemi edhe kontribuues proaktivë të saj. Karta e Adriatikut A5 ka ide që të formohet një njësi e përbashkët e të gjitha shteteve të Kartës së Adriatikut dhe ne me këto kapacitete që i posedojmë bashkë me njësit e tjera, të marrim pjesë nëpër misione paqeruajtëse. Po ashtu e kemi edhe një oficer që në Britaninë e Madhe do të jetë instruktor dhe pas dy viteve do të shkojë në Afganistan. Janë duke u bërë hapat konkretë që vërtet edhe ne të ofrojmë siguri ashtu sikurse kanë ofruar të tjerët në situatën qysh kemi qenë ne gjatë luftës.

Autor: Mejreme Tahirukaj