Dështon gjykimi për korrupsion dhe për vepra penale, ndaj ish-policëve

Dështon gjykimi për korrupsion dhe për vepra penale, ndaj ish-policëve

Në mungesë të dy akuzuarve Driton Spahija dhe Ruzhdi Kajtazi, si dhe avokatëve Xhafer Maliqi dhe Asdren Hoxha, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, i paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ndaj tyre dhe të akuzuarve tjerë për vepra të ndryshme penale, përfshirë edhe ato të korrupsionit.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë katër ish-zyrtarët policorë Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj dhe Bedri Haliti, i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, për  veprat penale “tregti e ndaluar” dhe “shmangia nga tatimi” akuzohen edhe Besim Zeqiri, Jeton Zymeri, Driton Spahija, Ukë Atashi, Gentrit Zymeri, Agim Jashari, Liridon Hyseni, Etrit Idrizi, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarve Spahija dhe Kajtazi si dhe avokatëve Xhafer Maliqi dhe Asdren Hoxha, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Mehmeti bëri të ditur se të njëjtit kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt, pasi që janë njoftuar në seancën e kaluar.

Në seancë nuk ka qenë i pranishëm as prokurori i rastit, por gjykatësi Mehmeti ka thënë se paraprakisht ai është lajmëruar në telefon, ku ka kërkuar që në rast se ka kushte ligjore të mbahet seanca, të njoftohet pasi që është i gatshëm të paraqitet në seancë.

Mirëpo, siç ka thënë gjykatësi Mehmeti, duke marr parasysh që kushtet ligjore nuk plotësohen që të mbahet seanca, nuk është parë e arsyeshme që të ftohet prokurori, mirëpo i njëjti e ka arsyetuar mungesën.

Herën e fundit, aktakuzën e ka përfaqësuar prokurori Njazi Rexha.

Andaj, në këto rrethana, gjykatësi Mehmeti ka konstatuar se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, seancën e ardhshme e ka caktuar më 5 korrik 2019, po ashtu seanca e parapara të mbahej më 29 maj 2019, është anuluar me pëlqimin e të gjitha palëve.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 10 prill 2015, ish- zyrtarët policorë Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj, Bedri Haliti, akuzohen se nga 21 marsi i vitit 2013, e deri më 12 prill 2013, përderisa kanë qenë në orarin e punës duke punuar në pika kontrolli të ndryshme, në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si persona zyrtarë.

Sipas aktakuzës, vepra është kryer në atë mënyrë që gjersa i pandehuri Besim Zeqiri me ndihmësit e tij, kanë transportuar mallra pa autorizim, konkretisht derivate të naftës, ata janë njoftuar nga të pandehurit mbi gjendjen në rrugë me qëllim që kur rrugët kanë qenë të lira të bëhet transportimi, duke mos i penguar për kryerjen e veprave penale ashtu si  kanë qenë të detyruar sipas ligjit.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përveç tyre, me këtë aktakuzë, Besim Zeqiri, Jeton Zymeri, Driton Spahija dhe Ukë Atashi, akuzohen se në bashkëkryerje, që nga 21 mars 2013 e deri më 12 prill 2013, në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, në vazhdimësi pa autorizim kanë shitur-blerë apo edhe shkëmbyer derivate të naftës, paraprakisht duke organizuar rrjetin e shitësve-blerësve si dhe të ndërmjetësve, duke realizuar përfitimin i cili kalon shumën 15.000 euro, ku dhe janë fshehur dhe shmangur tërësisht pagesës në tatim, tarifave apo dhe kontributeve të tjera që kërkohet me ligj.

Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprat penale “tregti e ndaluar” nga neni 305,  paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, e lidhur me nenin 81 paragrafi 1 e 31 dhe “shmangia nga tatimi” nga neni 313 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza po ashtu, ngarkon edhe të pandehurit Agim Jashari, Liridon Hyseni, Etrit Idrizi, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni, për kryerjen e veprës penale, ndihmë për kryerjen e veprës penale “tregti e ndaluar”, nga neni 305 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi