Mungon njëri i akuzuar, dështon gjykimi për falsifikim të dokumenteve

Mungon njëri i akuzuar, dështon gjykimi për falsifikim të dokumenteve

Mungesa e të akuzuarit Urim Hoti, ka bërë që të dështojë gjykimi i paraparë për të martën në Gjykatën Themelore të Gjakovës, dega në Malishevë, ndaj tij dhe të akuzuarit Bali Thaqi, nën akuzën për kryerjen e veprave penale “mashtrim” dhe “falsifikim i dokumenteve”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Urim Hoti, gjykatësi Lulzim Paçarizi, njoftoi se ai ka qenë i njoftuar përmes procesverbalit të kaluar të datës 18 prill 2019, mirëpo i njëjti nuk prezanton.

Sipas, gjyqtarit Paçarizi, nuk prezanton as i dëmtuari Xhezair Krasniqi, i cili ka qenë i ftuar me detyrim nga seanca e kaluar, dhe stacioni policor ne Malishevë, përmes një shkrese e  ka njoftuar gjykatën se i njëjti gjendet për punë të përkohshme në shtetin e Belgjikës.

Ndryshe, në seancë kanë prezantuar prokurori Enis Gashi, dhe i akuzuari i parë, Bali Thaqi.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e së martës është shtyrë më 11 korrik 2019, në ora 13:00.

Në seancën fillestare të mbajtur më 12 prill 2018, të akuzuarit Bali Thaqi dhe Urim Hoti, ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën që u vihet në barrë.

Kurse, shqyrtimi i dytë ishte mbajtur më 7 qershor 2018, ku të akuzuarit kishin kundërshtuar aktakuzën, dhe gjyqtari i çështjes Lulzim Paçarizi, me aktvendim kishte aprovuar aktakuzën, dhe i njëjti aktvendim ishte atakuar me ankesë nga të akuzuarit në Gjykatën e Apelit, ku e njëjta i kishte hudhur poshtë ankesat e të akuzuarve si të pabazuara.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur më 22 prill 2015, të akuzuarit Bali Thaqi dhe Urim Hoti po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “mashtrim”, nga neni 335, paragraf 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, dhe “falsifikim i dokumenteve”, nga neni 398, paragraf 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës të akuzuarit Bali Thaqi dhe Urim Hoti, po akuzohen se më 20 gusht 2015, në koordinim me njëri tjetrin, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, së bashku i marrin veturën e tipit “Mercedes” të dëmtuarit, Xhezair Krasniqi, për ta testuar dhe më pastaj nuk kthehen më, dhe vazhdojnë në drejtim të Suharekës.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit e shesin veturën e të dëmtuarit pa e pyetur, në vlerë prej 2000 euro, ku i njëjti automjet i është marrë blerësit dhe gjendet në ruajtje në Stacionin Policor në Malishevë.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Thaqi në kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, me rastin e shitblerjes së automjetit të të dëmtuarit, nënshkruan një kontratë të shitblerjes, duke ndryshuar apo përpiluar dokumentin origjinal.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti me këto veprime ka kryer veprën e falsifikimit të dokumentit, duke nënshkruar kontratën pa qenë pronar i automjetit dhe pa pasur autorizimin për shitjen e tij. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi