Apeli vërteton dënimet ndaj drejtorit të spitalit në Gjakovë

Apeli vërteton dënimet ndaj drejtorit të spitalit në Gjakovë

Gjykata e Apelit ua ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë, drejtorit të Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, Ahmet Asllani dhe pesë të tjerëve që akuzohen lidhur me një tender për furnizim me uniforma të këtij spitali.

Kështu, Apeli i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësit të të akuzuarit Asllani, avokatit Prenk Pepaj dhe mbrojtësit të të akuzuarit Adnan Brovina, avokatit Sokol Dobruna, të cilët kishin kërkuar anulimin e aktgjykimit të Themelores dhe rigjykimin e rastit, apo që të akuzuarit të lirohen nga akuzat.

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Gjakovë dhe të akuzuarit tjerë, Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi Kumrije Kameri dhe Skender Ndrecaj, nuk kishin ushtruar ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 19 shkurt 2019, e kishte shpallur fajtor për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të akuzuarin Asllani dhe të njëjtin e kishte gjykuar me gjashtë muaj burgim me kusht.

Ky dënim ndaj Asllanit nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Me gjashtë muaj burgim me kusht, me afat verifikimi prej një viti, ishte dënuar edhe i akuzuari tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Adnan Brovina.

Për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, me gjashtë muaj burgim me kusht ishte dënuar edhe Skender Ndrecaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti ai nuk kryen vepër tjetër penale.

Mirlinda Mullahasani dhe Mentor Bytyqi, për falsifikim të dokumentit zyrtar, ishin dënuar me nga gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti nuk kryejnë vepra tjera penale.

Kurse, po ashtu për falsifikim të dokumentit zyrtar, Kumrije Kameri ishte dënuar me tre muaj burgim me kusht, nëse brenda një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndërkaq, e dëmtuara në këtë rast, Spitali Rajonal i Gjakovës është udhëzuar në kontest civil.

Ndërsa, procedura penale ishte pushuar ndaj të akuzuarve për veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike, Mirlinda Shehu-Kaqi dhe Flamur Zeneli, për shkak se sipas gjykatësit të rastit në shkallë të parë, Shaqir Zika, ndaj këtyre dy të akuzuarve ka arritur parashkrimi relativ i ndjekjes penale.

Por, këtë aktgjykim të Themelores, mbrojtja e të akuzuarit Asllani e ka cilësuar si të pakuptueshëm dhe kundërthënës në brendinë e tij.

Sipas ankesës së avokatit Pepaj, dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim të plotë me dispozitat procedurale që parashohin përpilimin e dispozitivit, ku, nga një dispozitiv i tillë, sipas ankesës, nuk dihet koha as vendi i kryerjes së veprës penale, pra, dispozitivi nuk përmban figurën e veprës penale, ku do të duhej të përfshihen të gjitha faktet dhe rrethanat.

Sa i përket demit të shkaktuar të dëmtuarës – Spitalit Regjional “Isa Grezda” në Gjakovë, mbrojtja pretendon se një dëm i tillë, nuk është vërtetuar me ekspertizë përkatëse, por, as me ndonjë provë tjetër në shkresa të lëndës, prandaj, edhe nuk mund të konstatohet se me veprimet inkriminuese të akuzuarit Asllani. të jetë shkaktuar çfarëdo demi qoftë.

Sipas pretendimeve ankimore të mbrojtjes së të akuzuarit tjetër, Adnan Brovina,  nga përshkrimi i figurës së veprës penale, nuk rezulton se i akuzuari ka kryer veprën penale në fjalë, ngase, i akuzuari ka qenë i urdhëruar nga Drejtori i Infermierisë që të mos përpilojë fare procesverbal për pranimin e mallrave, pasi që i njëjti i ka thënë që vetëm t’i pranojë mallrat në fjalë, se pastaj, në ndërkohë do të vijë edhe pjesa tjetër e mallit, që do të thotë se i akuzuari ka vepruar konform urdhrit të shefit të tij, pra, nuk ka bërë kurrfarë kalimi të kompetencave e as që ka shkaktuar far demi të dëmtuarës.

Po ashtu, sipas ankesave të avokatëve, pretendohet se provat janë vlerësuar në mënyrë të gabuar dhe të njëanshme, prandaj, edhe përfundimet kanë pasuar të gabuara, pa mbështetje në prova, për çka  të akuzuarit Asllani dhe Brovina, është dashur që të lirohen nga akuzat.

Por, të gjitha këto pretendime të avokatëve, i ka hedhur poshtë si të pabazuara Gjykata e Apelit.

“Gjykata  e Apelit, vlerëson se pretendimet e lartcekura ankimore nuk qëndrojnë e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale për të cilat sipas detyrës zyrtare kujdeset kjo gjykatë e të cilat kishin me kushtëzuar anulimin e tij”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Sipas aktgjykimit të shkallës së dytë, pretendimet e mbrojtësve janë të pabazuara, ngase, nuk qëndrojnë pretendimet ankimore se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimi është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, kështu që sa i përket përmbajtjes së dispozitivit të aktgjykimit, i njëjti nuk ka asgjë konfuze dhe se në përmbajtjen e tij janë paraqitur të gjitha veprimet inkriminuese të akuzuarve e që përbëjnë elementet e veprës penale për të cilën të akuzuarit edhe janë shpallur fajtorë.

“Në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar janë dhënë arsyera të mjaftueshme mbi të gjitha faktet vendimtare të kësaj çështjeje penale-juridike, duke u bazuar së pari në vetë deklaratat e të akuzuarve, ku edhe njëri edhe tjetri, nuk i kontestojnë faktet vendimtare në këtë çështje penale juridike, ku i akuzuari Ahmet Asllani nuk i konteston faktet dhe rrethanat e përshkruara më detajisht si në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar, i cili deklaron se ndërmarrja që e ka fituar tenderin nuk ka dorëzuar mallrat në shumën e paraparë sipas kontratës, por i njëjti, përkundër kësaj ka lejuar të bëhet pagesa…”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimi të Apelit.

Po ashtu, në aktgjykimin e shkallës së dytë thuhet se, në rastin konkret gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të qarta për vendin, kohën, mënyrën e kryerjes së veprës penale, duke konstatuar gjendjen faktike të vërtetuar më detajisht si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar, duke u bazuar në provat e proceduara në shqyrtimin gjyqësor dhe se gjatë paraqitjes së arsyerave për faktet vendimtare në arsyetim nuk ka paqartësi dhe konfuzitet.

Në fund të aktgjykimit të saj, Apeli thekson se dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve do të ndikojnë në rehabilimin e tyre dhe se me këto dënime do të arrihet qëllimi i dënimit.

“Gjykata e Apelit, konsideron se dënimi i kushtëzuar të akuzuarve është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë së të akuzuarve dhe se dënimi i shqiptuar është në funksion të parandalimit të kryerësve nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, ta bëj rehabilitimin e tije si dhe të ndikojë tek personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, duke konsideruar kështu se me dënimin e shqiptuar si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë në dispozitat e nenit 41 të KPK.-së”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 30 korrik 2018, të pandehurit Mirlinda Shehu-Kaqi dhe Flamur Zeneli në muajin dhjetor të vitit 2014 në Gjakovë, si menaxhere e biznesit N.SH “El-Ri Graphic”, Prishtinë dhe Flamur Zeneli, në cilësinë e operatorit ekonomik me dashje kanë shkelur ligjin e afarizmit dhe kanë vepruar në kundërshtim me standardet e rregullta të afarizmit.

Sipas aktakuzës, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që kanë fituar tenderin lidhur me furnizimin me uniforma të Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ku përfitues i këtij tenderi ka qenë firma N.SH “El-Ri Graphic”, ku janë furnizuar me 438 copë mantele të gjata, pantallona dhe bluza me shumicë ku i kanë shkaktuar dëm Spitalit Rajonal ”Isa Grezda” në Gjakovë, ku vlera kontraktuese ka qenë 9.855 euro.

Me këtë kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje “veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike” nga neni 285 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit Mirlinda Mullahasani, Mentor Bytyqi dhe Kumrije Kameri në muajin dhjetor të vitit 2014, në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, Mirlinda Mullahasani në cilësinë e kryetares së komisionit, ndërsa Mentor Bytyqi dhe Kumrije Kameri anëtarë të komisionit, në dokumentin zyrtar-procesverbalin kanë shënuar të dhëna të rreme duke vërtetuar se ka ardhur numri i plotë i uniformave, duke konfirmuar që sipas kontratës kanë pranuar uniforma komplet për personel nga operatori N.SH.”El-Ri Graphic”, Prishtinë.

Ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Kurse, i pandehuri Adnan Brovina në muajin dhjetor të vitit 2014 në Spitalin Rajonal “Isa Grezda’ në Gjakovë në cilësinë e personit zyrtar depoist ka shfrytëzuar detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete dhe për persona tjerë duke i shkaktuar dëm Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, në atë mënyrë që në depo ka pranuar uniforma nga kontraktuesi në sasi më të vogël sesa që është kontraktuar.

Me këtë veprim akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK-së.

I pandehuri tjetër, Skender Ndrecaj po ashtu në po të njëjtin muaj dhe vit në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë në cilësinë e drejtorit të infermierëve në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon përfitim pasuror në mënyrë që të ushtrojë ndikim mbi vendimmarrjen e personit zyrtar-deposistit Adnan Brovina ka urdhëruar që të pranojë uniformen nga kontraktuesi në sasi më të vogël se sa që është kontraktuar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “ushtrim i ndikimit” nga neni 431 par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Ahmet Asllani në po të njëjtin muaj dhe vit në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ka cilësinë e drejtorit ekzekutiv të Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij duke mos e përmbushur detyrën zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit pasuror për veten apo për persona të tjerë, i shkakton dëm Spitalit të Gjakovës, në atë mënyrë që si drejtor ka nënshkruar lejimin e pagesës së të hollave për kontratën e blerjes së uniformave të cilat nuk kanë ardhur në numër të plotë.

Më këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi