Munishi: Interesimi i madh për pjesëmarrje në Seminar

Munishi: Interesimi i madh për pjesëmarrje në Seminar

Kanë nisur përgatitjet për edicionin e 38 të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili mbahet nga 19 deri më 30 gusht.

Sipas organizatorit, temë bosht e sesionit të Gjuhës sivjet do të jetë: Struktura e shqipes aktuale, nga letërsia tema do të jetë: Si ëndërrohet në letërsinë shqipe, kurse nga kulturologjia do të diskutohet për Rrjetet sociale, politika dhe etika. Afati i fundit për aplikim është 1 qershori 2019.

Ngjarja më e madhe e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, që sivjet pritet të mbahet nga 19 deri më 30 gusht, do të pranojë aplikime për pjesëmarrje si në kurse të gjuhës shqipe ashtu edhe në pjesën shkencore, deri më datën 1 qershor.

Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, tha për Radio Kosovën se deri më tani interesimi për pjesëmarrje ka qenë shumë i madh.

“Në këtë proces të përzgjedhjes ne do të bëjmë përzgjedhjen e atyre që do t’i ndjekin kurset, pra, studentët që dëshirojnë ta mësojnë gjuhën shqipe, por njëkohësit do ta bëjmë përzgjedhjen edhe të abstrakteve nëpërmjet të të cilave autorë të ndryshëm do të marrin pjesë në këtë seminar të sivjetmë. Interesimi është i konsiderueshëm edhe nga ana e studentëve por edhe nga ana e studiuesve”, tha        Munishi

Ndërsa, sa i përket të veçantës së Seminarit që mund të jetë në këtë edicion, Munishi tha se vetë tradita e kësaj ngjarjeje shkencore bën që e veçanta të ndodhë gjatë mbajtjes së Seminarit.

 “Seminari tashmë ka bërë një traditë, dhe kur bëhet një traditë thuajse 45 vjeçare, sepse ky është viti i 45 që organizohet Seminari, atëherë sigurisht nuk mund të flitet për veçanti specifike, por në çdo seminar zakonisht ka diçka të veçantë. Dhe veçantia e Seminarit zakonisht hetohet gjatë mbajtjes së Seminarit dhe paraqitjeve të ndryshme të autorëve të ndryshëm’, ka shtuar Munishi.

Përveç pjesës shkencore, Seminari këtë vit organizon edhe takime dhe mbrëmje të ndryshme si dhe një ekskursione nëpër vende historike e kulturore në Kosovë.   

Arritja e seminaristëve në Kosovë bëhet më 18 gusht, kurse hapja solemne e Seminarit më 19 gusht, në orën 11:00.

Seminari i Gjuhës është themeluar në vitin 1974, por është ndërprerë për disa vite nga ish regjimi serb, për të vazhduar me disa edicione në Tiranë dhe pas luftës së fundit është rikthyer në Kosovë.

Autor: Drita Vitia