Dokle: Gazetaria më ka dhënë pasuri në të shkruarit

Dokle: Gazetaria më ka dhënë pasuri në të shkruarit

Namik Dokle, është gazetar, publicist, romancier dhe dramaturg. Veprat e tij janë botuar kryesisht pas viteve 2000. Pjesa aktive e angazhimit të tij ka qenë politika, ku disa legjislatura ishte dhe kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Dokle, është autor i disa librave publicistik, veçojmë librin “Piedestale pa statuja” e gjithashtu edhe i disa veprave letrare, si “Vajza e mjergullës”, “Mjegulla e dimrit të largët”, “ Ditët e lakuriqëve të natës”, “Lulet e skajbotës” etj, pastaj dramave “Shën Mëria e Beratit”, “Dënimi i dytë i Homerit”, etj. Duke folur lidhur me gjendjen e shqiptarëve sot, z. Dokle në intervistë për Radio Kosovën, thotë se: “Kosova dhe Shqipëria janë në pragun e Evropës, por me shumë vështirësi për ta kapërcyer këtë prag”.

Romani juaj i fundit është “ Ditët e lakuriqëve të natës”. Çka simbolizojnë lakuriqët e natës në ditët e sotme?

Ky është romani im i fundit, i cili u përurua në panairin kombëtar të librit në Tiranë në nëntor të vitit të kaluar dhe para pak ditësh u përurua edhe në panairin kombëtar të zhvilluar në Fier. Qyteti i Fierit është qyteti, i cili tashmë e ka krijuar këtë traditë që i zhvillon shumë të rregullt panairet e librit, çka është shenjë e pagabueshme e kulturës së këtij qyteti. Kisha dhe një kënaqësi të veçantë që në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën sallë, njëri pas tjetrit, u përurua libri im dhe libri i Çun Lajçit kushtuar vajzës së tij Bubulinës, që ishte veçanti emocionuese. Libri im i fundit “Ditët e lakuriqëve të natës” është pjesë e një triptiku ose pjesë e një trilogjie romanore, që është romani i tretë  dhe dy romanet paraprijëse të këtij romani janë “Vajzat e mjegullës” dhe “Lulet e skajbotës”. Ky libër ka një ngjarje shumë të thjeshtë, por ndërkohë është një përpjekje e imja, nuk e di nëse ia kam dalë apo jo, për t’i dhënë një metaforë luftës së njeriut kundër të keqes dhe sidomos të luftës së njeriut për të mbrojtur dashurinë. Pra, i gjithë problemi i romanit vërtitet tek një fakt që në një fshat të Shqipërisë, në vitet 70-të, ndalohen djemtë që të shkojnë të takojnë vajzat në dritare sipas një zakoni që ishte në atë fshat. Pikërisht këtu fillon një shqetësim i jashtëzakonshëm, shqetësim që kthehet në një sëmundje, në një dyshim për një sëmundje tërbimi, e cila mendohet se mund të vijë nga lakuriqët e natës, nga dhelprat e kuqe, e nga shumë arsye të tjera. Për këtë arsye dërgohet një personalitet i shkencës me urdhër të qeverisë për të verifikuar se çfarë ndodh me këta djem dhe këto vajza dhe si përfundim, ai zbulon të vërtetën e madhe dhe bën deklaratën e madhe ku thotë që “ky fshat nuk vuan nga asnjë lloj sëmundjeje tjetër, përveçse nga ndalimi i dashurisë”. Kjo është metafora e librit që synon që të bëjë njerëzit për të mbrojtur dashurinë e tyre. Çfarëdo qoftë kjo dashuri, dashuri për atdheun, për njeriun, për fëmijë, për bashkëjetuesin, etj. Pra, është nga ndjenjat më sublime që ka njeriu, por është dhe një nga ndjenjat që shpeshherë është shumë e sulmuar, prandaj ne si njerëz, duhet ta mbrojmë. Përndryshe, nuk do të ishim njerëz.

Z. Dokle, thuhet se: “Ku ka mjegull, ka legjenda”. Po vajza e mjegullës e juaja, çka është?

Mënyra e trajtimit të këtij romani është e tillë që vajzat nuk shihen shumë në mënyrë fizike, sepse thelbi i romanit është që në një fshat, të gjitha vajzat e fshatit merren me urdhër të autoriteteve të kohës në vitet 50-të, dhe dërgohen në një aksion për ndërtimin e një hidrocentrali. Praktikisht, fshati ngelet pa vajza dhe këtu është dhe subjekti i romanit. Çfarë ndodh me këtë fshat, i cili ka mbetur pa vajza, pa buzëqeshjen, pa këngën e vajzave. Çfarë ndodh më këta njerëz, të cilëve iu është mohuar diçka nga pjesa e tyre. Në thelb të këtij romani kam vënë pikërisht atë çka është konstatuar edhe nga kritika qoftë në Shqipëri qoftë jashtë saj, që mesazhi kryesor i librit “Vajzat e mjegullës”, është për çdo njeri pyetja: “Je apo nuk je njeri? E jeton apo nuk e jeton jetën sikur njeri? A po të ikën nga duart apo akoma më keq, e shpërdoron dhe abuzon me jetën tënde, duke abuzuar edhe me jetën e të tjerëve”?! Ky është thelbi i këtij romani, i cili është botuar në Tiranë në vitin 2017, ndërkohë është përkthyer dhe botuar edhe në Sarajevë, është përkthyer edhe në gjuhën bullgare dhe është gati në proces botimi edhe në Bullgari. Është përkthyer edhe në spanjisht dhe më vjen mirë që këtë roman në spanjisht e ka përkthyer përkthyesja që përkthen Kadarenë në gjuhën spanjolle. Jam në përgatitjet e botimit në Spanjë, ndërkohë vazhdon dhe përkthimi në turqisht. Ky është romani i parë i triptikut që përbëhet nga “Vajzat e mjegullës”, “Lulet e skajbotës” dhe “Ditët e lakuriqëve të natës”.


Ndër romanet tuaja që kanë bërë bujë është edhe “Lulet e skajbotës”. Pse lulet e skajbotës?

Duke qenë me profesion gazetar, gazeta na ka dhënë atë sëmundjen profesionale të propagandës, të lustrimit të gjërave, etj, sidomos në kohërat që unë kam qenë gazetar. Normalisht ndjej pendesë për disa të vërteta që nuk kam mundur t’i them dhe ndërkohë problem është që sot ka ardhur koha që ne kemi, të paktën lirinë, në qoftë se nuk abuzojmë me këtë liri, që të themi disa të vërteta dhe e vërteta e madhe e çdo njeriu është se si e jeton jetën ai dhe sa e lejojnë të tjerët ta jetojë jetën ai, sa përpiqet ai që ta jetojë jetën e vet ashtu siç duhet. Në këtë kontekst, një nga gjërat më tragjike për kohën tonë qoftë për Shqipërinë, qoftë për Kosovën, qoftë edhe për vendet e tjera të rajonit apo dhe vendet e tjera të botës, është emigracioni. “Lulet e skajbotës”, trajton pikërisht temën e migracionit. Jo në kuptimin e jetës së emigrantëve, por të atyre që ngelën pasi djemtë dhe vajzat që largohen e shkojnë për të kërkuar një jetë më të mirë në Evropë, Amerikë, në Zelandë të Re, e në vende të tjera. Pra, çfarë ndodh me këta njerëz që ngelen. Ikin nga vendi i tyre, nga vendlindja e tyre, por ndërkohë vendlindja nuk ik prej tyre, e marrin me vete. Pikërisht ky roman trajton dramën e migracionit madje ka dhe digresione për emigracionin e parë të shqiptarëve sepse dihet që edhe midis dy luftërave botërore dhe para luftës së dytë botërore, shqiptarët kanë emigruar. Shqiptarët kanë emigruar në Argjentinë, në Amerikë, në Itali e me radhë…Në atë kohë është një personazh i emigracionit të parë që i tregon nipit të tij se si ka shkuar nga zona e Malësisë së Kukësit në emigracion në Sarajevë. Tregon në një moment kur hyn në Sarajevë se si austriakët i fusin për t’i larë të gjithë, për t’i pastruar, dhe nipi thotë se iu hoqën morrat e fshatit tonë. Ai i përgjigjet: “mirë neve na i hoqën morrat, por juve po iu heqin trurin tani”. Ky është një element, i cili mua më ka shqetësuar se çfarë dramash shkaktohen në këto momente. Jo se njerëzit nuk duhet të lëvizin. Duhet të lëvizin, por dëshira ime është që të mos e braktisin vendlindjen. E veçanta e “Lulet e skajbotës”, është se aty ka disa personazhe që janë vajza, gra, të rinj, etj. Në kontekst është lulet e fundit të botës, mirëpo lulet që të lulëzojnë duhet mbrojtur, duhet trajtuar sic duhet. Aty kam dhe një personazh të një vajze kosovare që quhet Drena, e cila pas çlirimit të Kosovës qëndron akoma dhe nuk largohet nga ai fshat ku ishte gjatë luftës. Ajo qëndron sepse thotë se nuk kthehem dot sepse vëllanë, babanë e shumë njerëz të tjerë mi kanë vrarë dhe unë akoma nuk e ndjej fuqinë për ta përballuar këtë tragjedi që ndodhi gjatë luftës në Kosovë. Por, është fat i mirë që tashmë Kosova është e çliruar dhe e pavarur. Natyrisht, ka probleme që njihen dhe dihen, e të cilat janë në dorën e popullit të Kosovës, për t’u zgjidhur e për t’u dhënë rrugën e mbarësisë. Këto janë pak a shumë të tre romanet që përbëjnë atë që unë e quaj trilogji për vendlindjen dhe besoj se çdo shkrimtar nuk i ik dot vendlindjes dhe fëmijërisë. Një shkrimtar të famshëm francez kur e pyetën, nga je? Nga cili fshat apo cili qytet? Ai u përgjigj shumë shkurt: “Jam nga fëmijëria ime”. Njeriu ka vendlindje fëmijërinë e vet në një kuptim figurativ, që i bart të gjitha kujtimet e fëmijërisë me vete dhe pastaj, ka nga ata që munden dhe  këto i pasqyrojnë në veprat që shkruajnë.

Përmendët që iu kanë ngelur peng disa gjëra pa i thënë. I keni thënë tani, i keni larguar nga vetja për t’i bërë publike?

Besoj se pjesën më të madhe, por natyrisht se njeriu gjithmonë mendon t’i shkruaj sepse ai që i futet kësaj pune  nganjëherë pa vullnetin e tij vjen diçka vetvetiu dhe e vazhdon. Kujtoj këtu një thënie të shkrimtarit të famshëm Gabriel Garsia Markez, fitues i çmimit Nobel, dhe një nga krijuesit e atij që quhet realizmi magjik në letërsinë amerikano – latine. Ai thoshte se askush nuk e merr me mend se çfarë strapacimi heq një shkrimtar për të shkruar një vepër dhe më tepër ky strapacim bëhet akoma më i dhimbshëm kur dëgjojmë se sa shpërblehet një shkrimtar për veprën e tij. Megjithatë, shkrimtari do të vazhdojë të shkruaj edhe sikur ta di që vepra e tij nuk do të paguhet asnjë qindarkë, madje edhe sikur ta di që vepra e tij nuk do të botohet kurrë. Shkrimtarët këtë punë bëjnë, nuk ndalojnë së shkruari dhe kuptohet që gjithmonë shkruajnë kur kanë diçka për të nxjerrë. Një shkrimtar i madh amerikan Filip Roth, kur e pyetën se çfarë po shkruan, tha se kam ndaluar të shkruaj se nuk ndjej se kam ndonjë gjë të re për të thënë. Pra, shkrimtari shkruan atëherë kur ka diçka për të thënë. Në qoftë se nuk ka diçka për të thënë e vazhdon të shkruaj, është kohë e humbur!

Z. Dokle, e gjeni frymëzimin për të shkruar nga gjërat reale?

Krejtësisht nga gjërat reale. Ka shumë teori lidhur më këtë. Ka njerëz që nisen nga një ide, ka që nisen nga një ngjarje, nga një imazh…unë mundohem që të shkruaj pikërisht ato gjëra, të cilat unë apo njerëzit që unë kam njohur, i kanë përjetuar gjërat e kësaj natyre. Nganjëherë realiteti ka disa gjëra që asnjë imagjinatë shkrimtari nuk mund t’i përfytyronte. Për shembull unë kam lexuar një legjendë, e cila është e përfshirë në romanin “Ditët e lakuriqëve të natës”, që është fjala për dashurinë dhe e cila është e thënë vetëm në tre rreshta. Është një metaforë e jashtëzakonshme, që “tri vajza të fshatit tonë, zbritën hënën në lëmin e Vejselit dhe kërcyen, hodhën valle me hënën”. Kjo është një metaforë që të kujton metaforën e ciklit të kreshnikëve kur Ajkuna shkon të vajtojë Omerin. Autori popullor që e ka krijuar këtë mrekulli, thotë që “Ajkuna filloi të vajtojë Omerin dhe yjet në qiell zunë vend për ta dëgjuar”. Ky është një teatër kozmik, një teatër madhështor! As Shekspiri nuk e ka pasur këtë teatër siç ishte Ajkuna, që spektatorë për të dëgjuar vajin e saj pati yjet. Pikërisht në këtë kontekst mu kujtua legjenda e krahinës sime që populli thotë që disa gjëra ne shkrimtarët as që mund t’i imagjinojmë. Kam dëgjuar një këngë që thotë: “më ranë yjet në prehër dhe më dogjën prehrin”. Çfarë metafore të jashtëzakonshme ka. Pikërisht letërsia është te kjo e jashtëzakonshmja, në kuptimin që jo si ngjarje e jashtëzakonshme, por të zbulosh atë çfarë lexuesi i zakonshëm nuk e zbulon. Këtu kujtoj poetin e jashtëzakonshëm Garsia Lorka të Spanjës, i pushkatuar nga frankistët. Lorka sfidon edhe rregullat e shkencës, të gjeometrisë. Gjeometria thotë se dy drejtëza paralele, nuk takohen kurrë njëra me tjetrën. Ndërsa, Lorka në poezinë e tij thotë: “Dy drejtëza paralele, takohen njëra me tjetrën, kur unë dhe ti puthemi”. Pra, me dy vargje, ai shpreh një dashuri të jashtëzakonshme njerëzore dhe një metaforë të jashtëzakonshme poetike.

Z. Dokle, disa raporte në vendin tonë thonë se ka humbur interesimi për lexim. Si qëndron kjo çështje në Shqipëri?

Kjo që e thanë është një e vërtetë e trishtuar për marrëdhëniet e njerëzve sot me librin, gjë që nuk ndodh vetëm në Shqipëri apo vetëm në Kosovë. Nga të dhënat që kam unë, në pesë vitet e fundit në Spanjë, janë mbyllur mbi nëntë mijë librari, çka do të thotë se libri vuan një krizë të kësaj natyre, gjë që vihet re edhe në Shqipëri. Por, do të shtrojmë pyetjen, fëmijët, adoleshentët, të rinjtë, kanë humbur kureshtjen? Kjo nuk është e vërtetë sepse në natyrën e tyre është që ata rriten bashkë më kureshtjen për të njohur botën. Nga kjo pikëpamje, ndikimet e mjeteve të teknologjisë së lartë aktuale kanë ndikimin e tyre, por ndikim negativ, për mendimin tim, e çka duhet ndryshuar dhe duhet të kthehet nga një ndikim negativ në një ndikim pozitiv, janë dhe politikat kulturore që ndjekin qeveritë. Politikat kulturore edhe në Shqipëri, kanë gjëra të cilat për mendimin tim nuk janë normale. Fjala vjen, u vu tatimi mbi vlerën e shtuar për librin para pak kohësh, gjë që për mua nuk është normale sepse libri vërtetë shitet, por nuk është si çdo lloj malli që del në treg. Libri është diçka krejt tjetër, diçka që ka të bëjë me kulturën, me historinë, me ndërgjegjen kombëtare, me ndërgjegjen e çdo populli, e nuk mund të trajtohet si domatja, apo parfumeritë, etj. Vënia e tatimit mbi vlerën e shtuar mbi librin, ka krijuar shqetësim të madh tek botuesit në Shqipëri. Përveç kësaj, politikat kulturore të ministrive të Kulturës apo të qeverive, në Shqipëri, Kosovë e gjetkë, duhet të jenë të atilla që të përkrahin sa më shumë autorët dhe botuesit, gjë që nuk e shikoj të ndodh. Po marr vetëm një aspekt, megjithëse për shkrimtarët ky nuk është aspekti kryesor, por për politikat qeveritare duhet të jetë, shitësit e librave shpërblehen më shumë se krijuesit. Përkthyesit e librave shpërblehen më shumë se shkrimtarët. Kjo ka të bëjë me politikat kulturore, të cilat për mendimin tim, nuk janë ashtu siç duhet të ishin.

Jeni autorë i shumë veprave letrare e publicistike. Ju, cilin nga ta e konsideroni si më të arriturin?

Zakonisht një shkrimtar e ka të vështirë të dallojë veprat. Mund të thotë se cili është libri i tij më i dashur, por për më i arrirë, këtë mund ta thonë të tjerët, e jo shkrimtari. Kam filluar që në moshë të re të merrem me letërsi. Që atëherë kam botuar 4 vëllime me tregime. Pastaj, kam filluar të merrem me drama. Një dramë e kam shkruar në vitin 1974 dhe e kujtoj me nostalgji se e kam fituar një çmim kombëtar dhe për më tepër kënaqësi  më ka dhënë fakti që kryetar i jurisë i asaj kohe për dramën ishte shkrimtari, Ismail Kadare. Të marrësh një çmim nga një juri që kryesohet nga Kadare, është një gjë shumë e mirë. Pastaj, politika më hyri në mes dhe më ndau për një kohë të gjatë nga letërsia. Unë mendoj që politika dhe letërsia kanë gjëra të përbashkëta, por kanë dhe gjëra që i ndajnë. E përbashkëta e politikës dhe letërsisë është që të dyja duan pasion sepse pa pasion nuk mund të bëhet as letërsi e mirë e as politikë e mirë dhe e ndershme. Ndërsa, ajo që i ndanë është se letërsia dhe politika janë xheloze ndaj njëra tjetrës. Një autor nuk mund të merret njëherësh edhe me politikë edhe me letërsi. Ka edhe nga ata që e bëjnë, por unë nuk kam mundur sepse e di që politika është xheloze ndaj politikës dhe politika është xheloze ndaj letërsisë. Tre romanet e fundit i kam shkruar kur përfundimisht jam ndarë nga politika. Nuk jam më aktiv në politikë e as nuk merrem me analiza politike, nuk jap as intervista politike dhe kur më thonë të paktën një intervistë na jep, iu përgjigjem se e kam lënë duhanin dhe po të ndez një cigare, duhet të rifilloj nga e para. Në këtë kontekst për t’iu përgjigjur direkt pyetjes tuaj, unë nuk mund të them se cila është vepra më e mirë, por mund të them që për mua vepra më e dashur është “Vajzat e mjegullës’, sepse aty kam shumë më tepër nga jeta ime dhe nga jeta e njerëzve që kam njohur në fëmijëri. As kritikët nuk mund të përcaktojnë saktësisht se cila është më e mirë ose më e arrirë. Kam dy miq të mirë në Tiranë, Zija Çelën dhe Besnik Mustafain. Zija Çela thotë se romani më i arrirë është “Vajzat e mjegullës”, të kundërtën e thotë Besnik Mustafai. Ai thotë se romani më i mirë është “Lulet e skajbotës”. Ndërkohë, studiuesi dhe kritiku Behar Gjoka, thotë se romani më i arrirë dhe metafora më e fuqishme në prozën time është romani i tretë, “Ditët e lakuriqëve të natës”. Unë mund të them se jam më i afërt, më i dashuruar në kuptimin njerëzor të fjalës, e në këtë kontekst mund të përmend “Vajzat e mjegullës” . Megjithatë, për një shkrimtar veprat janë si pesë gishtat e dorës. Cilindo që ta prekësh, të dhemb.

Politika nuk iu ndihmoi ne letërsi, po gazetaria?

Gazetaria më ka ndihmuar në një aspekt shumë të rëndësishëm. Një nga kritikët që ka shkruar për librat e mi, ka konstatuar që në librat e mi ka shumë jetë. Natyrisht që gazetaria është ajo që më ka bërë të njihem me shumë njerëz, me shumë ngjarje, me shumë drama, të cilat i kam njohur shumicën nga afër e i kam përjetuar bashkë me personazhet e atyre ngjarjeve, por edhe me të dëgjuar nga njerëz të ndryshëm. Njëkohësisht gazetaria më ka ndihmuar që të dëgjojë shumë nga mençuria e njerëzve, kudo që i kam takuar në të gjitha vitet që kam punuar si gazetar. Jetën që e kam në librat e mi, e kam marrë shumë dhe ua di për nder, viteve që kam punuar si gazetar. Në kohën kur kam qenë gazetar, gjithmonë kam mbajtur shënime për ngjarje, për fjalë, për gjëra të mençura, për situata, për imazhe. Po këtu prapë ka teori të ndryshme, p.sh një shkrimtar thotë që nuk mbaj shënim sepse një gjë që nuk mbahet mend, nuk ia vlen për t’u shkruar, ndërsa Vargas Losa, një shkrimtar i shquar, edhe ai fitues i çmimit Nobel, thotë që mbaj shënim çdo gjë që mbaj në mend, sepse ashtu siç më vjen në atë sekondë, nuk më vjen më. Unë ndjek më shumë këshillën e Vargas Loses se sa të atij shkrimtarit tjetër. Kjo është pasuria që gazetaria më ka dhënë në të shkruarit në përgjithësi edhe si publicist edhe si shkrimtar.

E kuptova që thatë se nuk keni dhënë asnjë deklaratë politike prej kohësh, por ju lus që të na tregoni se ku janë shqiptarët sot qoftë këndej apo andej kufirit.

Janë në pragun e Evropës, por me shumë vështirësi për ta kapërcyer këtë prag. Mendoj që përveç shumë arsyeve objektive, politikave, momenteve politike që përjeton vet Evropa apo Bashkimi Evropian, skepticizmi lidhur me të ardhmen e Evropës së bashkuar, Brexit-i, largimi i Britanisë së Madhe nga kjo familje e madhe politike dhe ekonomike e shumë të tjera, apo dhe shenjat e konflikteve rajonale, janë arsye objektive, të cilat na kanë mbajtur disi larg. Do të thosha që dhe ne shqiptarët, jo të gjithë shqiptarët, por politikanët shqiptarë, kanë përgjegjësinë e tyre sepse jo gjithmonë kanë ditur të punojnë bashkërisht për çështjen e përgjithshme. Nga jeta ime në politikë mbaj mend një fjalim të Hilari Klinton, kur ishte sekretare e Departamentit Amerikan të Shtetit që erdhi dhe e mbajti një fjalim në Parlamentin shqiptar. Një nga gjërat që më ngeli në mend ishte ajo se si politikanët e SHBA-së, edhe kur janë në parti të ndryshme, janë kundërshtarë politik, por kur vjen çështja për Amerikën, ata bëhen bashkë. Këtë nuk e shohim gjithmonë midis politikanëve shqiptarë, prandaj dhe nuk po e kapërcejmë akoma atë prag, të cilin e kemi ëndërruar që ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa.

Në fushata elektorale japin premtime e nuk janë bashkë në çështje nacionale. Pse ndodh që nuk shpërblehet vota e qytetarit?

Duke dashur t’i shmangem politikës, por duke mos dashur t’i shmangem pyetjes tuaj dhe respektit që ma bëni ju këtë pyetje, po bëj një shartim, një përzierje dhe po kujtoj çfarë kam shkruar në romanin “Vajzat e mjegullës”. Është një personazh aty, një plakë e zgjuar që përfaqëson mençurinë popullore dhe grindet me një nga ata burrat që përpiqej të bënte ligjin në fshat. Madje, për këtë arsye ia kishin vënë dhe emrin Stalin. Ka një anekdotë përmes së cilës i ka mbetur ky emër. Në një moment, ajo plaka politikës i thotë pulitikë dhe ai e korrigjon, i thotë nuk i thonë pulitikë por politikë, gjoja se ai ishte i gjithëdituri. Plaka i thotë: “Dëgjo more djalë. Ajo që unë i them pulitikë dhe ti i thua politikë, nuk ka rëndësi çfarë emri ka. E rëndësishme është që ka motër hajninë”. Ky është elementi i korrupsionit, i cili e mbrapshton politikën edhe në Shqipëri edhe në Kosovë besoj, sepse nuk kemi ndonjë dallim të madh në politikëbërje. Kur një gazetare më ka pyetur çfarë mendon ti për politikën, në momentin që kisha botuar librin “Vajzat e mjegullës”, i thashë se mendimi im për politikën, atëherë kur e dhashë përgjigjen, por edhe tani kam të njëjtin mendim, është vetë gjysma e titullit të librit tim, çka do të thotë: hiqi vajzat që është gjëja më e bukur e kësaj bote dhe politikës i ngelet vetëm mjegulla.

Cila është porosia juaj drejtuar gazetarëve, politikanëve por edhe lexuesve të letërsisë?

Sidomos gazetarëve dhe kolegëve të mi gazetarë dhe shkrimtarë, megjithëse nuk më takon të jap këshilla, por po e përsëris këshillën e një mikut tim për mua dhe në qoftë se dikujt i vlen kjo, është i mirëseardhur ta respektojë. Ai thotë: “Vetes, të vërtetës dhe vdekjes, nuk i ikën dot”.  Pra kemi tre V. Në qoftë se këtu keni një parti Vetëvendosje, në jetën e njeriut janë tri gjëra: vetja, e vërteta dhe vdekja. Këtyre nuk mund t’iu ik askush, prandaj duhet respektuar të tria. Mbi të gjitha e vërteta, natyrisht edhe vetja, për të mos u bërë langaraq dhe vdekja. Njeriu pas vdekjes, në qoftë se nuk ka tradhtuar të vërtetën dhe veten, pas vdekjes do të ketë lënë me siguri një emër të mirë.

 

 

 

Autor: Lumnije Berisha, Radio Kosova