Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për 30 të arrestuarit në veri

Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për 30 të arrestuarit në veri

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar 30 ditë paraburgim ndaj 30 të arrestuarve në aksionin e së martës në veri të vendit.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar prokurori i rastit në PSRK, Sylë Hoxha.

Hoxha ka thënë se seanca dëgjimore për këtë rast në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të mbahet të mërkurën, nga ora 13:00.

Ndryshe, në mëngjesin e së martës, nën dyshimet për përfshirje në vepra të ndryshme penale, kryesisht të korrupsionit, krimit të organizuar dhe kontrabandimit me mallra, është zhvilluar aksioni në katër komunat veriore të Kosovës, si dhe në disa pjesë tjerë.

Në këtë aksion, nga numri total i të arrestuarve, 19 janë zyrtarë policorë.

Për numrin e zyrtarëve policorë të arrestuar, kishte bërë të ditur kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Miradije Kelmendi, e cila së bashku me drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe prokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, kanë mbajtur një konferencë për media, pas përfundimit të këtij aksionit, pasidten e së martës.

“IPK në bashkëpunim me PSRK dhe Policinë e Kosovës, pas zhvillimit të hetimeve, ka realizuar këtë operacion. Në këtë operacion janë arrestuar gjithsej 19 persona të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale të pjesëmarrjes ose organizmit të grupit kriminal, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i detyrës zyrtare, dhënia e ryshfetit, tregti e ndaluar etj. Në operacionin e sotëm janë bastisur 12 lokacione. Nga 19 të arrestuarit, 11 janë të nacionalitetit serb, 4 të nacionalitetit shqiptar dhe 4 të nacionalitetit boshnjak. Nga punonjësit e arrestuar, 1 ka qenë në gradën e kapitenit, komandant stacioni, 3 në gardën e rreshterit dhe të tjerë zyrtarë policor. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe sende të ndryshme të cilat do të shërbejnë si prova gjatë procedurës penale”, kishte thënë Kelmendi.

Sipas saj, zyrtarët e arrestuar me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar nga detyra.

Kurse, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, kishte thënë se operacioni është zhvilluar si duhet, dhe se gjatë operacionit janë lënduar pesë zyrtarë policorë.

“Ne kemi pasur një urdhërarrest për një numër të konsiderueshëm të personave, e cila ka qenë e bazuar në hetimet paraprake. Për ekzekutimin e kësaj urdhërese ne kemi bërë përgatitjet e duhura, e cila përgatitje është dashur të kryhet në kohë të shkurtë. Operacioni ka filluar në ora 6 të mëngjesit. Në shumicën e komunave operacioni është zhvilluar pa pengesa derisa në komunën e Zubin Potokut, kemi pasur problem pasi Policia ka hasur në një pritë, ku është sulmuar me armë. Në këtë rast është plagosur edhe një zyrtar i Policisë së Kosovës, por plaga ka qenë e lehtë dhe i njëjti është jashtë rrezikut për jetë. Po ashtu, nga plumbi i njëjtë është goditur edhe një zyrtarë tjetër i Policisë së Kosovës por pasi që shpejtësia e plumbit tanimë është amortizuar, ky plumb të njëjtit i ka shkaktuar vetëm mavijosje. Është sukses që nuk kemi pasoja fatale gjatë këtij operacioni, derisa në total, numri i të lënduarve është pesë”, kishte thënë Qalaj.

Në mesin e të arrestuarve, ka qenë edhe një shtetas rus të arrestuar, për të cilin ka folur drejtori i Policisë, Reshat Qalaj.

“Në përpjekje për mënjanimin e barrikadave, ka qenë një veturë e UN-it brenda së cilës ka qenë edhe një zyrtar i UN-it dhe një zyrtar lokal që punon në UN. Ata janë arrestuar si pjesëmarrës në barrikada”, kishte thënë ai.

Ndërkaq, prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Sylë Hoxha, kishte thënë se arrestimit i ka paraprirë një hetimi rreth një vjeçar, gjatë të cilit janë ndërmarrë shumë veprime.

“Prokuroria Speciale e Kosovës i ka filluar veprimet procedurale qysh nga prilli i vitit të kaluar, ndaj disa personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, krim të organizuar, kontrabandim me mallra, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti e kështu me radhë”, kishte thënë Hoxha.

Ai kishte thënë se gjatë fazës hetimore kanë ndërmarrë shumë veprime.

“Gjatë kësaj periudhe kohore ne kemi dëgjuar shumë dëshmitarë dhe kemi ndërmarrë shumë veprime. Pas këtyre veprimeve, ne i jemi drejtuar me kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë, respektivisht gjyqtarit të procedurës paraprake, dhe e njëjta gjykatë ka nxjerrë vendim sipas të cilit ka lejuar kontrollin e shtëpisë dhe lokaleve të tjera përkatëse. Ky operacion ka rezultuar me arrestimin e një numri të zyrtarëve dhe qytetarëve, të cilët janë nga nacionaliteti serb, shqiptar dhe boshnjak. Me këtë rast dua të falënderoj edhe Policinë e Kosovës dhe IPK-në për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë zhvillimit të këtij rasti”, ka thënë Hoxha.

Ndryshe, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor, ka realizuar një operacion në veri të Kosovës, që ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policorë dhe qytetarëve nën dyshimet se kanë kryer vepra penale të korrupsionit, krimit të organizuar, të kontrabandimit me mallra, e të tjera.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi