Prokuroria kërkon dënim për të akuzuarin që dyshohet se ka dëmtuar KEDS-in

Prokuroria kërkon dënim për të akuzuarin që dyshohet se ka dëmtuar KEDS-in

Prokuroria Themelore në Pejë, të mërkurën, ka kërkuar që i akuzuari për lidhje të paautorizuar në shërbime, Nexhmedin Zeka, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Një propozim të tillë, prokurorja Ardita Beqiraj, e ka bërë në seancën e shqyrtimit gjyqësor, të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, ku edhe është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Beqiraj, në fjalën e saj përfundimtare, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor, pas deklarimeve të dëshmitarëve, dhe të gjitha provave tjera materiale të administruara, është vërtetuar që i pandehuri Nexhmedin Zeka, ka kryer një vepër të tillë penale.

“Faktin se i pandehuri ka bërë keqpërdorim të energjisë elektrike gjatë shqyrtimit gjyqësor e vërtetuan dhe dëshmitarët, përkatësisht zyrtarët e kompanisë KEDS, ku secili veç e veç, e në mënyrë detaliste i sqaruan gjykatës sesi në objektin e të pandehurit përkatësisht njehsori elektrik, ka qenë duke u furnizuar me një lidhje të paautorizuar, një kabllo jashtë pikës matëse, më tutje ky keqpërdorim është vërtetuar edhe me ekspertizën e 13 janarit 2016, ku e ka dhënë mendimin eksperti i pavarur Myhedin Demaj”, ka thënë Beqiraj.

Një deklarim të tillë, e ka përkrahur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, KEDS, Burhan Shabanaj, i cili theksoi që e parashtrojnë kërkesën pasurore-juridike.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Zeka, avokati Mustafë Kastrati, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë që i mbrojturi i tij është i pafajshëm, dhe ka kërkuar nga gjykata që të merr aktgjykim refuzues ndaj tij.

“Nga administrimi i provave nuk është vërtetu dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari e ka kryer veprën edhe kjo për dy arsye, ky njeri nuk ka lidhje me këtë çështje se jeton në Prishtë, po është akuzuar se formalisht prona dhe matësi evidentohet në emër të tij, kurse objekti menaxhohet nga vëllai edhe babi i tij”, ka thënë Kastrati.

Ai po ashtu ka thënë se deklaratat e dëshmitarëve nuk janë të sakta, të cilët nga fakti që janë punëtorë të KEDS-it, sipas tij kanë frikë për vendin e tyre të punës, kanë qenë të njëanshëm, dhe se ata nuk kanë mundur ta vërtetojnë tezen e tyre se ka pas keqpërdorim nga ana e të akuzuarit.

Me fjalën përfundimtare të avokatit Kastrati, është pajtuar edhe i akuzuari Nexhmedin Zeka, i cili ka thënë që mbetet pranë fjalës përfundimtare të avokatit të tij.

Pas përfundimit të fjalës përfundimtare nga palët, gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova, ka konstatuar që shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 30 maj 2019, në ora 13:15.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 6 tetor 2016, Nexhmedin Zeka akuzohet se 11 nëntor 2014, deri më 11 nëntor 2015, në restorantin e tij “Semitronix Center”, në Pejë, gjatë kontrollit nga personat e autorizuar të KEDS-it, është hasur në keqpërdorim të energjisë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka qenë duke u furnizuar me energji elektrike me një kabllo jashtë pikës matëse, ku pretendohet se i akuzuari në mënyrë të paautorizuar ka shpenzuar energjinë elektrike, me ç’ rast KEDS-it i ka shkaktuar dëme materiale në shumë prej 22.158,06 euro.

Sipas këtyre veprimeve, Nexhmedin Zeka akuzohet për “lidhje të paautorizuar në shërbime”, nga neni 321 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi