VIDEO - Filmi ‘The Van’, u mirëprit në festivalin e Kanës

VIDEO - Filmi ‘The Van’, u mirëprit në festivalin e Kanës

Filmi shqiptar ‘The Van’ (Furgoni), nga Erenik Beqiri, në të cilin rolet kryesore i interpretojnë dy aktorët kosovarë, Arben Bajraktari e Afrim Muçaj dhe aktori francez, Phénix Brossard, është filmi i parë i produksionit shqiptar që ka hyrë në garë në Festivalin e Flmit të Kanës në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtër.

Aktori Afrim Muçaj, tha se në fillim nuk kanë pasur përkrahje, por kur institucionet e Shqipërisë e kanë parë se filmi ka shënuar sukses, është shfaqur gatishmëria për ta përkrahur atë.

‘Ky film është totalisht  francez në aspektin financiar”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Muçaj tregoi se xhirimet e filmit janë bërë në Shqipëri. “Filmi është xhiruar për gjashtë ditë në Tiranë e në Durrës”, tha ai.

Ndryshe filmi flet për një djalë rreth të 20-ve, i cili ka si qëllim të emigrojë jashtë vendit. Në mënyrë që t'i fitojë lekët e duhur sa më shpejt, ai pranon të bëhet pjesë e disa ndeshjeve që zhvillohen brenda një furgoni. Rregullat e furgonit janë të thjeshta, dyert mbyllen dhe furgoni niset në një trajektore rutinë, duke u kthyer në pikën e nisjes.