Libri “Parajsë e nëmur” del nga shtypi

Libri “Parajsë e nëmur” del nga shtypi

Libri më i ri me poezi i poetit Sadik Krasniqi, “Parajsë e nëmur”, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, ka dalë nga shtypi në fillim të kësaj jave.

Libri ka një parathënie shkruar nga kritiku Zija Vukaj, i cili analizon disa prej poezive dhe veçon karakteristikat letrare të tyre. “Ky vëllim poetik ka një strukturë ciklike dhe, si i tillë, dëshmon qartësinë artistike, kthjelltësinë dhe kohezionin e një vepre të ngjizur e të shestuar nga intuita dhe kredoja e autorit për të komunikuar ‘en bloc’ me lexuesin si vazhdimi i një dialogu artistik pa fillim e pa fund. Përbëhet prej pesë cikleve poetike: ‘Psalm dëshmie’, ‘Këmisha me flutura’, ‘Sa pak frymë’, ‘Solemniteti i mërzisë’ dhe ‘Bulëzim thysash’. Poezitë e këtij vëllimi, autorin e të cilit e lexoj dhe e njoh për herë të parë si poet, transmetojnë shumëçka nga kompleksiteti i ndërlikuar i shpirtit të njeriut, me një ndjeshmëri të lartë, lirizëm të hollë dhe mjeshtëri të rrallë artistike”, ka shkruar kritiku Vukaj, duke veçuar, ndër të tjera, ngjeshurinë e vargut të Krasniqit me imazh, mendim, përjetim dhe paraqitje gjendjesh.

POEZI NGA LIBRI I SAPOBOTUAR

AJO NË PASQYRË

Për çdo natë

në dhomën 05

ajo

del nga vetja

si nga këmisha e natës

hyn në kornizë

e tëra bëhet sy

shikon vetën e zbrazët

sa t(m)err e ferr

ai hon i zi

Nidda, janar ’18

 

TI

Fantazi fantazme ke ti

në buzë puthjen e vdekjes

lot të zi në sy

gjarpër të verdhë gjuhën

ko(r)b fjalën

lule varrezash në duar

si të ta marr një fije floku

për ADN-në

gen Kasandre do të jetë

e di

 

FERRI MBI TOKË

(Nga pamja e një nëne të re, duke kërkuar fëmijët e saj,

në gërmadhat e qytetit Aleppo të shkatërruar)

 

Zot pse s’po i njoh fëmijët e mi

krejt të njëjtë qenkan bërë këta engjëj

me fytyrë prej dheu e gjak të zi

 

Zot mos më mëkato po e heq ferexhenë

ata do të më njohin ma kanë parë fytyrën në shtëpi

 

Zot jashtë po e nxjerr njërin gji

i vogli i nënës aromën e qumështit do ta ndiejë

ende e pata për gji

 

Zot do t’i nxjerr edhe dy sytë e mi të zi

do t’i varros me dorën time

në këtë ranë të djegur

më mirë e verbër

se t’i shoh ata të meitë

 

Kështu gjysmë të zhveshur

edhe në më marrshin për lavire

të më gjuajnë me gurët e rrënuar

ndoshta e shohin këtë ritual fëmijët e mi

ndoshta do të thërrasin oj nënë

 

vetëm të di që janë gjallë

edhe ky ferr mbi këtë tokë

edhe tjetri nën dhe

parajsë do të jenë për mua

vetëm ata të jenë gjallë

 

oh pse s’po i njoh fëmijët e mi

Nidda, 2016

 

TRENI*

Për tek ara matanë hekurudhe

herët nisej baba

me mbrri para treni

 

i ulun para në kerr

tu e kqyrë orën e shokës

tash keni me pa trenin

po kali ka me na u trembë

 

pas dy ore në diell

dilte njeri i zi

e çonte dërrasën me dorë

hajt grahi

m’thanë

treni vonohet

edhe nja dy orë

baba pa e kqyrë

hala me orën në dorë

hyj dori

ta dhjefsha shtetin

që i vonohen trenat

 

ma mirë që baba s’asht ma gjallë

në këtë shtet që s’ka ma trena

në vendin që e kqyrte orën e shokës

mbi ata gurë ka mbetë vetëm udha

shinat janë vjedhë

 

baba do t’kish plasë prej mërzisë

na do t’ishim trishtue

me babën e shtrimë në kerr

 

vetëm kali do t’ish dalldisë

pa dizgina

e s’kishin hangër mizat e zhegut

tue pritë

 

KJO DITË

 

Ditës si kjo

nuk i duhet emri

data e javës e stinës e vitit

është ditë me vetëm

mërzi mërzi mërzi

 

gjithnjë e më shpesh

e tilla ditë

shlyen datat stinët e vitet

në kalendarin me sfond të zi