Dështon seanca për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm

Dështon seanca për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm

Mungesa e përfaqësuesit të KEDS-it, ka bërë që të dështojë seanca për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, e paraparë të mbahej të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ndaj të akuzuarit Blerim Limani.

Gjykatësi i kësaj çështje Selman Salihi, ka bërë të ditur se në këtë seancë prezanton prokurorja Merita Lumezi,  si dhe i akuzuari Blerim Limani, ndërsa mungon e dëmtuara KEDS, e cila sipas shkresave të lëndës ka prova që është thirrur në mënyrë të rregullt.

Sipas gjykatësit Salihi, pasi që mungon e dëmtuara, nuk ka kushte për tu mbajtur ky shqyrtim gjyqësor.

Seanca është shtyrë më 22 korrik 2019, në ora 09:00, ku sipas gjykatësit Salihi, me thirrje do të ftohet përfaqësuesi i KEDS–it, distrikti në Ferizaj si dhe zyrtari për parandalimin e zjarreve, i cili e ka përpiluar  procesverbalin në vendngjarje, Hasan Hajdini.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 28 tetor 2016, Blerim Limani akuzohet se më 24 qershor 2014, në ora 08:30, në objektin banesor “Adem Jashari”, në Lipjan, në vendin ku gjenden njehsorët elektrik, është kyçur në rrjetin elektrik në mënyrë ilegale.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari është kyçur në mënyrë joprofesionale, ku është bërë lidhje e shkurtër në orët matëse dhe është shkaktuar zjarr, me ç ‘rast te të dëmtuarit ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e tyre.

Me këto veprime, ai akuzohet se e ka kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 365 par 1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi