Kujtime për Dritëro Agollin: Shkrimtari nuk e shan shkrimtarin

Kujtime për Dritëro Agollin: Shkrimtari nuk e shan shkrimtarin

Nuk e di se si mund të ketë ndodhur që në një fshat të Devollit (Menkulas) është shënjuar me emrin Dritëro një foshnjë që destini historik nuk do ta lejonte të ndiqte trashëgiminë e të bëhej bujk, por shkrimtarin më të madh e më shqiptar të këtij shekulli.

Nuk e kam për zakon të flas në mënyrë kategorike për askënd e për asgjë, pasi e di fort mirë që kjo veti, në mos është shenjë budallallëku, së paku është shenjë servilizimi. Nga kjo e dyta nuk kam frikë.

Kur Dritëroi ka qenë kryetar i Lidhjes disa herë jam ndeshur me të e prapë ne mbetëm këta që jemi: Kuvendarë të respektuar e për këtë ka meritë fisnikëria e Dritëroit.

Nuk ka qenë vetëm një rast kur Dritëroi është sulmuar në mënyrë të turpshme pikërisht nga ata letrarë shkarrashkrues gazetash të cilëve ai u ka bërë ndere të mëdha jo vetëm duke i përkrahur për botime, por edhe duke i sjellë nga periferitë në qendër të Tiranës, pasi atëherë, siç dihet, nuk ekzistonte qarkullimi i lirë i njerëzve si sot. Por, në asnjë rast, në shtyp jo se jo (dhe dëshmi janë edhe këto libra me publicistikë), por as me gojë ai nuk ka dëshirë të shprehet “për ata”. “Shkrimtari nuk e shan shkrimtarin”, thotë ai shkurt, duke u skuqur, për të treguar se ai jo vetëm që nuk e ka për zemër të flasë për mëkatin e mosmirënjohësve, por edhe se ata ai i ka falur, pasi si zhbirues i lindur i shpirtit njerëzor e di fort mirë se shumë njerëz të rëndomtë bien kollaj pre e tundimit për shkak të varfërisë shpirtërore e materiale, gjë që prish karakterin dhe moralin njerëzor.

Nuk njoh asnjë personalitet tjetër të letrave e të kulturës sonë që të mos ketë frikë nga e kaluara, nga e sotmja (nevojat materiale, marrëdhëniet shoqërore, me partitë, me publikun etj.) por edhe nga e nesërmja (ç’do të thonë lexuesit nesër?). Sidomos në këto shtatë vitet e fundit kemi patur fatin të shohim lakuriq shumë personalitete që hermetizmi i çdo lloj diktature vesh me një vel fals. Të trembur nga e kaluara e tyre, duke dhënë prova mashtruese për gjoja disidencë, ata nuk e kuptuan se kësisoj përfitimi nga e sotmja do të sjellë pashmangshmërisht rrënim të së nesërmes (të emrit të tyre). Kthimi i vlerave në antivlera dhe anasjelltas, dukuri kjo mjaft e prekshme në këto vite ka sjellë prishje të ekuilibrit moral në shoqërinë shqiptare e është kjo prishje ekuilibri që solli rrënimet e shkatërrimet e fundit. Emri Dritëro është padyshim ndër ato emra që jo vetëm për sot por edhe për nesër do të shërbejë për të kuptuar se historia e Shqipërisë ka patur edhe burra të vërtetë që vlerës intelektuale i japin karakter universal e të pavarur nga koniunkturat kohore.

Nuk gjen në Shqipëri në asnjë kadastër e zyrë civile ndonjë person me emrin Dritëro. Kjo veçanësi e emrit Dritëro nuk vjen nga “shënjimi” profetik i bërë 66 vjet më parë, por nga jeta publike që ka bërë ky burrë tashmë i thinjur, kryeneç, kokëfortë, krenar, inatçor, zemërmadh e mbi të gjitha i urtë prej veprës të të cilit, bota shpirtërore është dritëruar për gati pesëdhjetë vjet.

Jam i bindur që sa thashë më lart, po edhe intervistat që i kam marrë unë e jo më pastaj gjithë korpusi i publicistikës së tij, vërtetojnë vetëm pjesërisht si analiza laboratorike e një pike uji të marrë nga një lumë i madh që nuk ka të shterrur (26.8.1997). /Dita/