Burg efektiv për të akuzuarin se shtiu me armë në aheng familjar

Burg efektiv për të akuzuarin se shtiu me armë në aheng familjar

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv të akuzuarin për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, Halil Gashi.

Kurse, me gjashtë muaj burgim me kusht është dënuar i akuzuari për armëmbajtje pa leje, Sadri Vitia.

Halil Gashi akuzohej se në korrik të vitit 2016, derisa ndodhej në një aheng familjar, kishte shtënë dy herë me pushkë në brendësi të oborrit të dajës së tij, Sadri Vitia, derisa ky i fundit akuzohej se ka mbajtur në pronësi një armë të tillë pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të enjten nga gjykatësi Kushtrim Shyti, pasi ishte aprovuar marrëveshja mbi pranimin e fajësisë e lidhur më 28 shtator 2018, mes të akuzuarve dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Gjykatësi Shyti ka njoftuar se dënimi me burgim prej gjashtë muajsh, i shqiptuar ndaj të akuzuarit Gashi, me pëlqimin e tij, mund të zëvendësohet në dënim me gjobë prej 600 euro.

Ndërsa, për të akuzuarin e dytë, Vitia, gjykatësi ka njoftuar se ky dënim me kusht i shqiptuar ndaj tij, nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

I akuzuari Gashi është obliguar nga gjykata që të paguajë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro tjera për kompensimin e viktimave të krimit.

Lidhur me këtë, i akuzuari i dytë, Sadri Vitia, është liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale.

Gjykatësi mori vendim që arma e sekuestruar nga policia, e tipit pushkë gjuetie, të konfiskohet dhe asgjësohet.

Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi, njoftoi gjykatësi.

Në seancën e kaluar të mbajtur më 27 maj të këtij viti, gjykatësi Kushtrim Shyti kishte aprovuar marrëveshjen për pranim fajësie të lidhur më 28 shtator 2018, mes Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të akuzuarve për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe atij për armëmbajtje pa leje, Halil Gashi dhe Sadri Vitia.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 tetor 2018 ka përpiluar aktakuzë ndaj Halil Gashi për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 365 par.1 lidhur me par.3 të KPRK-së dhe Sadri Vitia për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari Halil Gashi më 22 korrik 2016, rreth orës 22:00, në shtëpinë e dajës së tij, Sadri Vitia, në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, derisa ka qenë në aheng familjar, ku ka pasur shumë persona, ka shtënë dy herë në brendësi të oborrit, me armën e llojit pushkë e gjuetisë së prodhimit turk, e cila ka qenë në posedim të Sadri Vitisë, me ç’rast ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

Ndërsa, i akuzuari i dytë, Sadri Vitia, akuzohet se nga 23 janari 2008, e deri më 22 korrik 2016, rreth orës 22:00, në shtëpinë e tij, ka mbajtur në pronësi në shkelje me ligjin e zbatueshëm mbi armët e tilla, armën e llojit pushkë e gjuetisë, e prodhimit turk, me skadim të lejes që nga data 23 janari 2008, dhe pas kontrollit nga zyrtarët policorë armë është konfiskuar. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi