Mungon ish-asamblisti i Drenasit, dështon gjykimi për konflikt interesi

Mungon ish-asamblisti i Drenasit, dështon gjykimi për konflikt interesi

Në mungesë të Ajet Demirit, i akuzuar se cilësi të këshilltarit në Kuvendin Komunal në Drenas, ka kryer veprën penale “konflikt i interesit”, ka dështuar të mbahet seanca ndaj tij, e paraparë për të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ky rast që ka kaluar nga gjykatësi Vehbi Kashatnjeva, i cili ka dal në pension, tek gjykatësja Violeta Namani, nuk është mbajtur pasi që i akuzuari sipas një shkrese dorëzuar gjykatës, ka thënë se ka një seancë tjetër në Gjykatën Themelore, dega në Drenas, andaj nuk mund të jetë i pranishëm.

Në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohej dëshmitarja Florje Smajli, e cila ishte ftuar me ftesë të rregullt.

Pasi që nuk ishin plotësuar kushtet, gjykatësja Namani, ka njoftuar dëshmitaren Smajli dhe prokuroren Merrushe Llugiqi, për seancën e radhës, e cila do të mbahet më 10 qershor, në orën 13:10.

Kjo procedurë penale ndaj Demirit kishte filluar nga gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, mirëpo ishte përballur me shtyrje të shumta gjatë vitit 2018, pasi që në shumë raste nuk ishte siguruar prezenca e dëshmitares Florije Smajli, e në disa seanca kishte munguar edhe vet i akuzuari.

Ndryshe, ky rast është duke u zhvilluar sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 mars 2017 e cila Ajet Demirin e ngarkon me veprën penale “ konflikt i Interesit” nga neni 424 paragrafi 1 I KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Demiri, në cilësinë e këshilltarit në Kuvendin Komunal në Drenas, ka rënë ndesh me ligjin pasi që për interesa private të drejtpërdrejta, personale pasurore, ka shfrytëzuar funksionin publik për të përfituar për vete.

Kjo, pasi siç pretendon prokuroria, Demiri duke qenë si pronar i biznesit privat N.N.P “Pro-Ing”, gjatë vitit 2013-2015, në Komunën e Drenasit, firma e tij “Pro-Ing”, ka fituar disa tender dhe ka lidhur shtatë kontrata.

Sipas aktakuzës, ndër kontratat ishin, renovimi i kulmit në SHFMU “Rexhep Xheli” në Likoshan, renovimi i dyshemesë në SHFMU “Mehmet Gradica” në Gradicë, renovimi i objektit të Kryqit të Kuq-faza e dytë, etj.

Për këto kontrata, Demiri sipas aktakuzës, ka autorizuar që me firmën e tij, NNP “Pro-ing”, të administrojë dhe menaxhojë Florije Smajli, me të cilën edhe bashkëjeton dhe e njëjta ka nënshkruar këto kontrata, kurse në njoftimin për dhënien e kontratës nga Autoriteti Kontraktues i Komunës së Drenasit, është shkruar emri i të pandehurit si person kontaktues për aktivitetet e prokurimit. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi