PriFest hap thirrjen për Green Film Project III

PriFest hap thirrjen për Green Film Project III

Festivali Ndërkombëtar i Filmit, PriFest, këtë vit njofton se organizon edicionin e tretë të Green Film Project, projekt ky i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe aktivizmin tek të rinjtë për rëndësinë e mjedisit, me fokus impaktin që ka shoqëria në kualitetin e ajrit përgjatë tërë vitit.

Green Film Project është program me karakter garues me temë mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që këtë vit do të jetë me fokus të veҫantë në cilësinë e ajrit dhe për këtë shkak i bën ftese pjesëmarrësve që t’i sjellin para publikut të këtij festivali idetë kreative në formë të filmit të shkurtër dokumentar apo fiktiv, që e trajtojnë temën e ajrit.

E kënaqur që ky aktivitet do të vazhdojë të jetë pjesë e PriFest u shpreh drejtoresha e festivalit,  Vjosa Berisha:

“Vetëdijësimi i të rinjve lidhur me mbrojtjen e ambientit dhe dhënia e informatave për këtë problematikë është shumë e rëndësishme, andaj për ne si festival, marrë parasysh se kemi mundësi dhe hapësirë që të informojmë publikun lidhur me këtë ҫështje, e bëjmë këtë gjë me shumë përgjegjësi dhe kënaqësi”.

“Mënyra se si e kemi realizuar në të kaluarën ka qenë shumë e përshtatshme sepse përmes garës janë stimuluar të rinjtë që të kyçen dhe të realizojnë idetë e tyre. Në këtë mënyrë do të vazhdojmë të punojmë edhe këtë vit”.

Nga të gjitha aplikimet, 10 filma do të përzgjidhen nga selektorët e festivalit për t`u shfaqur në PriFest 11 në njërën nga netët e festivalit në datat 16-21 korrik. Ndërkohë juria ndërkombëtare do të përzgjedhë edhe filmin më të mirë të Green Film Project.

Autori i filmit më të mirë do të fitojë si shpërblim një kamerë profesionale dhe Pllaketën e Hyjneshës së Gjelbër.