Deklarohen të pafajshëm katër të akuzuarit për vrasje në tentativë

Deklarohen të pafajshëm katër të akuzuarit për vrasje në tentativë

Të pafajshëm për “vrasje në tentativë”, “lëndim i lehtë trupor” dhe vepra tjera penale, janë deklaruar katër të akuzuarit Anton Visoka, Istref Fazliu, Shkëlzen Fazliu dhe Fidan Maliqi.

Këtë deklarim të akuzuarit e kanë bërë në seancën fillestare, e cila është mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pasi të akuzuarit kanë mohuar fajësinë, kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi, i njoftoi të akuzuarit se brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë të bëjnë kundërshtimet për hudhjen e aktakuzës dhe provave të saj.

Ndryshe, të pandehurit Anton Visoka dhe Istref Fazliu, akuzohen për kryerjen e veprës penale  “lëndim i lehtë trupor”, kurse përveç kësaj vepre, Shkëlzen Fazliu akuzohet edhe për “vrasje në tentativë”.

Kurse, Fidan Maliqi akuzohet se i kishte ndihmuar të akuzuarit e tjerë në kryerjen e këtyre veprave penale.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 19 shkurt 2019, Shkëzeln Fazliu, Anton Visoka dhe Isref Fazliu, akuzohen se më 20 shkurt 2018, rreth orës 15:20, në rrugën “Gryka e Llapi”, në Podujevë, afër pompës së derivateve “Al Petrol”, derisa të dëmtuarit Patriot Krasniqi, Albert dhe Shaip Babatinca ishin duke lëvizur me veturë që ishte pronë e Shaip Babatincës, i cili edhe drejtonte veturën, të pandehurit kanë bllokuar rrugën me automjetin e tipi “Golf 4”.

Në aktakuzë thuhet se ky automjet ka qenë pronë e të pandehurit Fidan Maliqi, të cilën e ka drejtuar i akuzuari Shkëlzen Fazliu dhe kanë ndalur veturën e të dëmtuarve, e më pas të akuzuarit Anton Visoka, Shkëlzen e Istref Fazliu i kanë dal përpara me veturë, ku në ato çaste të akuzuarit Anton Visola e Istref Maliqi e kanë goditur të dëmtuarit Albert Babtinca me grushte dhe shqelma nëpër trup, ndërsa, i pandehuri Shkëlzen Fazliu e ka goditur atë me kondak të revoles në vetull.

Sipas aktakuzës, të pandehurit gjithnjë duke e goditur të dëmtuarin Shaip Babatinca, e kanë dërguar deri te restorant “Shala”, me ç’rast  i dëmtuari ka pësuar lëndime trupore, plagë mbetëse në kokë të shkaktuar nga ndonjë mjet i fortë dhe i rëndë mprehtës, që kualifikohen si lëndime të lehta trupore. Ndërsa, i dëmtuari Albert Babatinca, ka pësuar plagë në kokë, të shkaktuar nga ndonjë mjet i fortë dhe i rëndë mprehtës, që kualifikohen si lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndimi lehtë trupor”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shkëzen Fazliu, pasi i është drejtuar të dëmtuarit Shaip Babatinca me fjalët “pse mi keni vjedh kuletën me pare dhe pasaportën”, e pastaj me dashje që ta privojë nga jeta, e ka goditur 3 -4 herë me revole në kokë të dëmtuarin Patriot Krasniqi, ku nga goditjet është alivanosur.

Sipas aktakuzës, ky i dëmtuar ka pësuar thyerje depresive, shumë copësh të kockave të kafkës në regjionin muror të djathtë të kokës, shqyerje e cipës së fortë të trurit, plagesë shqyese në regjionin muror të kokës të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë, që kualifikohen si lëndime të rënda trupore.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

I pandehuri Fidan Maliqi, akuzohet se me dashje ka ndihmuar të pandehurit tjerë në kryerjen e veprave penale, në atë mënyrë që sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri ia ka dhënë në përdorim të pandehurve veturën e tij, me të cilën i pandehuri Shklëzen Fazliu ka ikur nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së veprave penale, ku e ka pritur Fidan Maliqi, e së bashku kanë pritur derisa kanë ardhur edhe dy të pandehurit tjerë.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “vrasje në tentativë në ndihmë” dhe “lëndimi lehtë trupor në ndihmë”. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi