Gjithçka është gati për hapjen e festës më të madhe të librit

Gjithçka është gati për hapjen e festës më të madhe të librit

Nga data 5 deri më 9 qershor në Prishtinë mbahet Panairi tradicional i librit “Prishtina 2019”, ku pritet të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. Sipas organizatorit, gjatë edicionit të 21-të të panairit do të ekspozohen rreth 1 mijë e 700 tituj të rinj nga botues të ndryshëm.

Gjithçka është gati për hapjen e festës më të madhe të librit në vendin tonë, Panairi i librit “Prishtina 2019”, i cili tradicionalisht mbahet në Prishtinë.

Gjatë katër ditëve sa do të jetë i hapur panairi do të ketë mysafirë të shumtë, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj, përurime, debate, paraqitje dhe shpërblime të ndryshme. Kështu tha për Radio Kosovën organizatori i Panairit të Librit, Besian Zeneli.

“Pjesa me e madhe e përgatitjeve të shtëpive botuese janë afër përfundimit. Zakonisht risitë gjithmonë janë prurjet e reja, apo titujt e rinj. Deri më tani 1700 tituj janë paralajmëruar nga botuesit që pritet të jenë pjesë e këtij panairi. Pastaj një numër i madh i shkrimtarëve pritet të jenë prezentë në panair.”

Zeneli tha po ashtu se do të ketë ulje të çmimeve të librave deri në pesëdhjetë për qind. Ndërsa interesimi i vizitorëve pritet t’i tejkalojë pritëshmëritë.

“Pritet të ketë ulje të çmimit të librave. Pritet që një numër i madh i vizitorëve të jenë prezentë, dhe nga viti në vit kemi pasur rritje të numrit dhe ketë vit pritet që mbi dyzet mijë të jetë numri i vizitorëve dhe të tejkalohen pritjet. Ka kohë që një pjesë e lexuesve të pasionuar kanë filluar të bëjnë rezervimet e tyre.”

Ceremonia e hapjes së panairit do të bëhet me 5 qershor në orën 12, ku do të marrin pjesë përfaqësuese të lartë të institucioneve të vendit. Panairi do të jetë i hapur deri më 9 qershor, ndërsa hyrja do të jetë falas. Si zakonisht panairin pritet ta vizitojnë të gjitha kategoritë e qytetarëve: studentë, nxënës, personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.  

Autor: Ardiana Hajzeri, Radio Kosova