Hakerët vjedhin të dhëna studentësh nga universiteti elitar i Australisë

Hakerët vjedhin të dhëna studentësh nga universiteti elitar i Australisë

Një "operator i sofistikuar" ka depërtuar në mbrojtjen kibernetike të Universitetit Kombëtar Australian (ANU) e ka vjedhur të dhëna me vlerë të studentëve. Shumë nga ish-studentët e ANU punojnë për qeverinë australiane.

Piratët e internetit depërtuan në sistemin kompjuterik të Universitetit Kombëtar Australian (ANU) dhe përvetësiam të dhënat e studentëve për një periudhë 19 vjeçare, tha një zyrtar i ANU të martën. Të dhënat përfshijnë llogaritë bankare, numrat e telefonit, adresat, pasaportat dhe numrat e dosjeve të taksave dhe të dhënat akademike.

Sipas zëvendëskancelarit të ANU, Brian Schmidt, sulmi u krye nga "një operator i sofistikuar".  Ai tha se depërtimi kishte ndodhur në fund të vitit 2018, por u zbulua vetëm dy javë më parë.

"Ne po punojmë ngushtë me agjencitë e sigurimit të qeverisë australiane dhe me partnerët e industrisë së sigurisë për të hetuar më tej," shtoi Schmidt.

'Shumë herët për të spekuluar'

ANU me qendër në Canberra është universitet i kategorizuar me vlerësimin më të lartë në Australi. Ish-studentë të tij kanë qenë ish-kryeministra, zyrtarë kabinetesh qeveritare dhe nëpunës civilë. Lajmi për depërtimin më të fundit në sistemin e universitetit vjen pas atij të vitit të kaluar, që u tha se nuk arriti të depërtojë në sistem. Në atë kohë, mediat australiane spekuluan se pas ndërhyrjes ishte Pekini, transmeton DW.

Më parë këtë vit, Parlamenti australian raportoi gjithashtu se rrjeti i tij ishte cënuar dhe se e njëjta gjë mund të thuhej edhe për rrjetet e disa partive politike. Asambleja tha se ishte një "aktor i sofistikuar shtetëror" i cili qëndronte pas depërtimit. Disa ekspertë sërish konsideruan përgjegjëse Kinën.